Arbëri

BE-ja thotë se dialogu s’është kompromituar pas përfshirjes së Lajçakut në dosjen Epstein

Albin Kurti – Aleksandar Vuçiq – Dialogu Kosovë-Serbi – Josep Borrell – Miroslav Lajçak

Foto: Arkiv

Bashkimi Evropian është i mendimit se zbulimet e fundit rreth karakterit të Miroslav Lajçakut, përmendja e tij në dosjen famëkeqe Epstein dhe dashuria e tij për ministrin e Jashtëm të Rusisë nuk e kanë komprometuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin për pesë vjet e ka lehtësuar pikërisht Miroslav Lajçak.

Përveç shkëmbimit të mesazheve rreth femrave mes Lajçakut dhe Epstein, për të cilat Lajçak së pari ka thënë se “nuk ka pasur kurrë shkëmbime ku përmenden femrat”, e më pas është penduar duke e quajtur përfshirjen e tij si "naivitet i shtyrë nga egoizmi mashkullor“, ish-lehtësuesi i dialogut në disa mesazhe ofrohet edhe për të rregulluar takime me zyrtarë të lartë të Rusisë, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm, Lavrov. "Unë e dua Lavrovin”, është shprehur Lajçak.

Në qarqet diplomatike dhe në BE tashmë po shprehet dyshimi nëse kjo sjellje e Lajçakut e ka komprometuar punën në të cilën është përfshirë, duke pasur parasysh se një prej shqetësimeve kryesore të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka qenë parandalimi i ndikimit të Rusisë.

Ja se si është përgjigjur zëdhënësja e BE-së për çështje të jashtme, Anitta Hipper, në pyetjen nëse këto zbulime rreth Lajçakut nga “Epstein files” e kanë komprometuar procesin e dialogut.

"Kur është fjala për dialogun, ai mbetet i pandikuar si i tillë nga këto zhvillime. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe i udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë, dhe po ashtu dialogu është në vazhdimësi nën mbikëqyrje të vendeve anëtare“, ka thënë kjo zëdhënëse.

Qeveria e Kosovës gjatë procesit të dialogut e ka akuzuar lehtësuesin e BE-së se nuk është i paanshëm në punën e tij. Këto akuza nga ana e Kosovës kishin hasur në kritika të mëdha nga BE-ja, e cila i doli fuqishëm në mbrojtje Lajçakut. Gjatë mandatit të tij, Lajçak shumë shpesh në raportime te vendet anëtare e ka kritikuar më shumë Kosovën sesa Serbinë për mungesë të progresit në procesin e normalizimit të raporteve.

Përpos postit të lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak me vite ka qenë ndër diplomatët më të lartë të BE-së të angazhuar në Ballkanin Perëndimor apo në poste udhëheqëse në BE të dedikuara këtij rajoni. Ai kishte krijuar reputacionin e një eksperti të pazëvendësueshëm për rajonin dhe vlerësohej shumë nga diplomatët e vendeve të tjera. Ka folur rrjedhshëm gjuhën serbe, ka shërbyer si përfaqësues i lartë në Bosnjë-Hercegovinë, si drejtor menaxhues në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm, ndërsa së fundmi ka qenë këshilltar për siguri kombëtare i kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.