Sa u përket zgjedhjeve në Serbi, diplomatët e BE-së kanë thënë se nuk presin ndonjë ndryshim të madh, por presin që Serbia të jetë konstruktive në dialog me Kosovën, por edhe të jetë më bashkëpunuese me Bashkimin Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos sa u përket sanksioneve kundër Rusisë
Bashkimi Evropian nuk ka nxituar të komentojë të hënën rezultatin e zgjedhjeve në Serbi dhe në Hungari, të cilat i kanë fituar dy partitë që kanë qenë deri tash në pushet, të udhëhequra nga udhëheqës që kanë pasur qasje populiste.
Sa u përket zgjedhjeve në Serbi, diplomatët e BE-së kanë thënë se nuk presin ndonjë ndryshim të madh, por presin që Serbia të jetë konstruktive në dialog me Kosovën, por edhe të jetë më bashkëpunuese me Bashkimin Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos sa u përket sanksioneve kundër Rusisë.
Në emër të Bashkimit Evropian, zgjedhjet i ka vëzhguar një delegacion i Parlamentit Evropian.
Shefi i këtij delegacioni ka thënë se shpreh keqardhje që serbët në Kosovë nuk ishin në gjendje që të votonin në vendin ku jetojnë, për çka ka shprehur keqardhje për pamundësinë dhe mospranimin e Kosovës që të lejojë një gjë të tillë, por e ka lavdëruar sjelljen e Kosovës që të mundësojë udhëtim të lirë dhe të lehtë për ata që kanë dashur të shkojnë në Serbi për të votuar.
Ai, po ashtu, ka thënë se ka pasur raste kur nuk u është mundësuar disa shqiptarëve në Luginën e Preshevës për të votuar dhe një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me disa përkatës të pakicës rumune.
Gjithsesi, delegacioni i Bashkimit Evropian që ka vëzhguar zgjedhjet ka thënë se ato kryesisht ishin të rregullta, por pati një përparësi të palejueshme të partisë në pushtet gjatë fushatës zgjedhore, sidomos në qasje në media.
Sipas Bashkimit Evropian, Serbia duhet të vazhdojë rrugëtimin evropian, por duhet të jetë e gatshme që në këtë rrugëtim të respektojë të gjitha vlerat për të cilat angazhohet BE-ja. E kjo do të thotë që të jetë në anën e duhur sa i përket agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Pritet që më vonë Bashkimi Evropian të dalë me prononcim zyrtar për zgjedhjet në Serbi.