Bashkimi Evropian nuk i ka ndërlidhur masat e ndërmarra ndaj Kosovës me mosdraftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndryshe prej ambasadorit italian në Kosovë, Antonello De Riu, që u shpreh se masat janë “që t’i nxisin qeveritë t’i përmbushin angazhimet e tyre” e se “angazhim i Kosovës është që sa më shpejt të paraqesë statutin e Asociacionit”.
E pyetur nëse masat janë marrë për shkak të mosdraftimit të statutit të Asociacionit, BE-ja ka thënë se këto masa “janë plotësisht të kthyeshme, varësisht nga zhvillimet në terren dhe vendimet për shtensionim, të ndërmarra nga kryeministri Albin Kurti”.
Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka përsëritur se hapat e kërkuar nga evropianët janë që Kosova të pezullojë menjëherë veprimet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës; që kryetarët e komunave përkohësisht të kryejnë detyrat nga vende të tjera; të mbahen zgjedhje të reja sa më shpejt që munden dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, që të ketë pjesëmarrje të plotë dhe të pakushtëzuar nga serbët e Kosovës.
“Është kyçe që dialogu i lehtësuar nga BE-ja, i udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimin dhe Aneksin e zbatimit, të vazhdojnë. Kjo përfshin edhe krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, thuhet në përgjigjen e BE-së. “Kosova fatkeqësisht nuk ka ndërmarrë hapat e duhur. Prandaj BE-ja – siç tregohet edhe në deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë në emër të shteteve anëtare të 3 qershorit – ka vendosur të zbatojë një sërë masash”.
Në këtë përgjigje janë përsëritur edhe masat e ndërmarra të Kosovës, duke u vënë theksi te pezullimi i punës së trupave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe se Kosova nuk do të ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë e vizitat bilaterale do të pezullohen.
Edhe
Ambasadori italian: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të kthyeshme
De Riu u shpreh po ashtu se “nëse në momentin kur Kosova përmbush angazhimin, Serbia nuk i përmbush angazhimet e veta, do të merren masa analoge edhe për Serbinë”.
E BE-ja ka thënë se po vëzhgon nga afër “përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”.