Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja ia dha Kosovës 24 milionë euro për të zbutur ndikimin e COVID-19

Në dhjetor 2020, në Thesarin e Kosovës është paguar një shumë prej 24.05 milionë euro si fonde të asistencës buxhetore të ofruara nga Komisioni Evropian.

Këto fonde janë pjesë e asistencës së përgjithshme të Bashkimit Evropian për të zbutur ndikimin e COVID-19, për të mbështetur modernizimin e administratës publike të Kosovës dhe për të forcuar menaxhimin e financave publike.

Komisionari për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi tha: “Kosova dhe BE-ja janë të dyja akoma në mes të pandemisë. Përmes këtyre pagesave të mbështetjes buxhetore, ne ndihmojmë Kosovën të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të luftuar pandeminë: të ndihmojë stabilizimin e financave publike, t’i ofrojë mbështetje bizneseve të vogla dhe qytetarëve nevojtarë për t’ia dalë mbanë vështirësive financiare me të cilat përballen në këtë situatë të vështirë. Ne qëndrojmë pranë popullit të Kosovës”.

Mbështetja buxhetore është një formë e mbështetjes nga BE-ja, ku BE-ja shpërblen përparimet që shënojnë qeveritë në zbatimin e strategjive të veta dhe në arritjen e synimeve që i kanë vënë vetes. Pagesat e mëparshme të BE-së lidhur me administratën publike dhe reformat e menaxhimit të financave publike në shumën prej 11.5 milionë euro dhe 9.97 milionë euro, u disbursuan në dhjetor 2019 dhe korrik 2020, përkatësisht.