Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja i quan “pretendime të pabaza” akuzat e Kurtit për Lajçakun

Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka quajtur pretendime të pabaza deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ishte në sinkron me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.

“Nuk mund t’i komentojmë komentet e kryeministrit Kurti, sidomos kur janë pretendime të pabaza”, ka thënë ai.

Ai në një konferencë për media ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian ua kanë bërë të qartë Kosovës dhe Serbisë se duhet të vazhdojnë t’i përmbushin obligimet e marra nga dialogu, sa më shpejt që është e mundshme dhe pa parakushte.

Stano ka thënë se shtetet e BE-së e kanë përsëritur shumë qartë se e mbështesin emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi.

“Ata e mbështesin që ai ta ndihmojë Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kjo deklaratë është e mbështetur nga 27 vende të Bashkimit Evropian. 27 vendet e BE-së kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që t’i përmbushin obligimet e tyre pa asnjë vonesë. Gjithashtu ua kujtojnë palëve për principin e konfidencialitetit në dialog. Kjo është shprehur shumë qartë për të dyja vendet”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa ndonjë shtyrje të mëtejmë apo parakushte.

Edhe BE-ja: Drafti i Lajçakut ka mbështetjen e vendeve anëtare, paralajmërimet e Kosovës të paqarta Arbëri BE-ja: Drafti i Lajçakut ka mbështetjen e vendeve anëtare, paralajmërimet e Kosovës të paqarta

Nëpërmjet një komunikate për media të publikuar të martën në mëngjes, Bashkimi Evropian përmes përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, ka thënë se është e shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët sivjet. BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.