Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka arsyetuar kërkesën për të mos e miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare, ashtu siç ishte sponsorizuar nga Qeveria. Kjo nuk u mor parasysh nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, gjatë vendimmarrjes në Kuvend. E, në BE e arsyetuan kërkesën.
Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin se ndan aspirata të përbashkëta me qytetarët e Kosovës, në përgjigje të deklaratës së kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila në seancën e së enjtes, ku u miratua Ligji për Lojërat Mesdhetare, tha se merr parasysh më shumë interesin e qytetarëve se shqetësimet e BE-së për këtë dokument.
Zyra e BE-së në Kosovë përmes një letre dërguar të mërkurën kryetares së Kuvendit, i ka shprehur shqetësimin se miratimi i Ligjit si i tillë, rrezikon të rrisë cenueshmërinë ndaj korrupsionit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE, në një përgjigje që kjo Zyrë ka dhënë për KOHËN, thuhet se kanë synim të njëjtë me qytetarët, e që është: integrimi i Kosovës në BE. Sipas kësaj zyre, në funksion të kësaj është edhe këshillimi për ligje në përputhje me rregullat e BE-së.
“Ne e bëjmë këtë edhe duke këshilluar institucionet e Kosovës se si ta përafrojnë legjislacionin e Kosovës me acquis të BE-së. Siç e dini, BE-ja është partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, dhe ne jemi këtu për ta ndihmuar Kosovën të vazhdojë të përparojë drejt BE-së”, thuhet nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Në letrën dërguar Haxhiut, BE-ja ka theksuar se është shqetësuese që për investimet në vlerë të 254 milionë eurove për organizimin e lojërave mesdhetare do të aplikohen rregulla të veçanta që anashkalojnë Ligjin e Prokurimit Publik.
“Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare (OCMG), siç parashihet në projektligj, duket se nuk është i ndërlidhur me ligjet ekzistuese të prokurimit publik, por në vend të saj, parashihet të vendosë rregulla të veta të prokurimit bazuar në parime të paqarta”.
Ligji parasheh që Komiteti Organizativ të nxjerrë rregullore lidhur me prokurimin.
Përfaqësues të partisë në pushtet kanë thënë në seancë se miratimi i këtij ligji në formën si ishte, u bë për shkak të vonesave dhe rrezikut që Kuvendi të shpërndahet.
Mirëpo, Kosova ka marrë dritën e gjelbër për organizimin e këtyre lojërave 2 vjet e 7 muaj më parë.
Me procedurë të përshpejtuar, shumica parlamentare e drejtuar nga Vetëvendosja e pati miratuar ligjin në Kuvend në seancën e fundit të legjislaturës së tetë, 1 vit e 3 muaj më vonë.
Ligji i miratuar u kontestua në Kushtetuese nga PDK-ja dhe pas një viti e 1 muaji Gjykata e shpalli kundërkushtetuese procedurën e miratimit.
Kritikat për vonesa, Vetëvendosja ia pati faturuar PDK-së. E Ministria e Sportit edhe komunave.
Por edhe tash projektligjin për në Kuvend, Qeveria e përcolli tek dy muaj pas formimit.
Ekspertja e Politikës së Jashtme, Donika Emini, thotë se nëse Kosova rrezikon organizimin e këtyre lojërave për shkak të bllokadave politike, do të ishte dështim i madh në imazhin ndërkombëtar.
“Fakti që jo vetëm për shkak të krizës politike por edhe fërkimeve që vazhdimisht i shohim në mes të nivelit qendror dhe atij lokal do të mund të kishin një efekt detrimental mbi organizimin dhe përgatitjen e Kosovës në këtë drejtim. Andaj do të ishte një imazh shumë i keq për Kosovën. Dhe, do të reflektonte atë që vazhdimisht të gjithë në rajon kanë tentuar që ta portretizojnë Kosovën si një vend që ka probleme fundamentale të funksionimit”, tha Emini.
Prishtina do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030, në të cilat parashihet të marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente.