Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bashkatdhetarët në Skenderaj i pret “Sofra Drenicase”

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka bërë të ditur se kanë organizuar festivalin tradicional “Sofra Drenicase”, për nder të bashkatdhetarëve që kryesisht këtë kohë vizitojnë Kosovën.

Jashari përmes rrjetit social Facebook ka ndarë disa fotografi nga ky manifestim, duke thënë se pritja për bashkatdhetarët është obligim moral dhe shtetëror.

“Në këto ditë të verës, kur bashkatdhetarët tanë ndodhen në vendlindje për pushime, ne si institucione e kemi për obligim shtetëror e moral, t’i presim siç është më së miri. Prandaj, për ta edhe sivjet e kemi organizuar manifestimin tashmë tradicional “Sofra Drenicase”, ka shkruar ai, shkruan KsP.

Kryetari i Skenderajt ka përmendur edhe sofrën me ushqime tradicionale.

“Në Sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj, e kemi shtruar një sofër të mbushur me ushqime tradicionale të trevës sonë, ku të pranishmit e shumtë janë kënaqur me interpretimin e shumë këngëve të muzikës tradicionale rapsodike, që kanë përgatitur anëtarët e Ansamblit “Drenica”, të veshur me veshje kombëtare”, përfundoi ai.