Arbëri

Basha dorëzon kallëzim penal ndaj Aliut e Graincas për privatizimin e FC Ferizajt

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një kallëzim penal në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ndaj kryetarit të këtij qyteti Agim Aliu dhe ish-drejtorit të klubit futbollistik Ferizaj, Mustafë Grainca, lidhur me privatizimin siç ka ka thënë, të kundërligjshëm të klubit të qytetit.

“Sot paradite dorëzova pranë Gjykatës Themelore një Kallëzim Penal kundër kryetarit Agim Aliu dhe ish drejtorit të Klubit Futbollistik FC Ferizaj, Mustafë Grainca. Arsyeja për këtë Kallëzim Penal është privatizimi i kundërligjshëm i klubit të qytetit FC Ferizaj që përbën vepër penale të dënueshme me gjobë dhe dënim nga 2 deri në 8 vite burg. Siç e dini, klubi ka qenë i regjistruar si Organizatë Joqeveritare dhe i ka takuar qytetit, mirëpo kryetari Agim Aliu në koordinim me klikën e tij të udhëhequr nga Mustafë Grainca kanë punuar që ta kthejnë atë në pronë private me qëllim të përfitimeve personale, pra duke e privatizuar atë në shoqatë aksionerësh siç edhe kanë bërë me gjithçka tjetër në këtë vend”, ka shkruar Basha në Facebook.

Sipas tij, privatizimi i këtij klubi ka qenë komplet i kundërligjshëm.

“Pra privatizimi ka qenë një mashtrim i orkestruar në mes dy akterëve kryesore (Agim Aliut dhe Mustafë Grainca dhe i ndihmuar nga anëtarët e kuvendit), dhe ka pas për qëllim përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore. Kjo dëshmohet më së miri me faktin që kryetari Agim Aliu e ka inicu dhe e ka mbikëqyrë këtë proces të kundërligjshëm, dhe njerëzit e tij te ngushtë vendor e ndërkombëtarë kanë përfunduar si pronarë të aseteve që kanë qenë pronë e OJQ-së dhe për këtë duhet të japin përgjegjësi penale. Më tej, partneri i tij Mustafë Grainca gjithashtu mban një përgjegjësi të madhe penale pasi që ka ai përfituar personalisht edhe direkt, sepse nga posti i Kryetar i Klubit si OJQ bëhet pronar i klubit si aksionerë, pra i shndërron asetet e OJQ-së në prone private dhe pra rrjedhimisht e përdor pozitën e tij në OJQ për të përfituar personalisht”, ka shkruar më tej ai.