Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se shqetësuese është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, pasi tha se nuk është qartësuar se çfarë do të ndodhë nëse nuk konstituohet brenda afatit 30-ditësh.
Ai ka thënë të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së se nga kjo situatë mund të paralizohet shteti i Kosovës, teksa shtoi partitë do të duhej t’i tejkalonin inatet dhe të ndërtonin bashkëpunim.
“Të gjithë janë humbës në realizimin e kërkesave institucionale. Më e rëndësishmja është që askush në asnjë pozicion s’është në respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në afatin 30-ditësh, nuk kemi si të veprojmë e paralizohet shteti. Do të duhej që në vazhdimësi të ketë episod deri në gjetjen e zgjidhjes për të konstituuar Kuvendin”, ka deklaruar Baraliu.
Sipas tij, rreziku qëndron te afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit, gjersa tha se ato që u diskutuan mes partive me presidenten Vjosa Osmani “janë më pak të rëndësishme për faktin që po paralizohet shteti”.
Ai foli edhe krizën aktuale, që tha se fajtore janë edhe partitë e komuniteteve pakicë.
“Jo vetëm kjo parti (Lëvizja Vetëvendosje v.j.), krizën e kanë ndihmuar edhe shumë, me gjithë respektin ndaj komunitetit pakicë, edhe këto komunitete që u ndan në dysh dhe janë përcaktuese...Kjo është situata që po e krijojmë dhe po dëshmojmë një pasqyrë të dëmshme edhe ndaj botës që jashtme që vëzhgon a jemi të gatshëm të ndërtojmë shtet dhe ta prishim duke zhvilluar beteja mesjetare”, ka thënë Baraliu.