Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se për herë të parë Ligji për Vetëqeverisjen Lokale do po ua mundëson qytetarëve që me udhëzimin e ri administrativ të mund të iniciojnë procedurë për qeverisjen lokale në rast se janë të pakënaqur.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Baraliu ka thënë se nxjerrja e këtij udhëzimi administrativ ka zgjatur më shumë se ç’duhej.
“Për herë të parë meqë deri tani nuk kemi pasur një udhëzim administrativ të tillë, tani po u jepet mundësia që detajisht dhe në frymë ligjore të bëhet çdo gjë pa u manipuluar nga askush. Është hera e parë që Ligji për Vetëqeverisjen Lokale prodhon një udhëzim administrativ që tani do të krijojë mundësinë që qytetarët, duke u bazuar në dispozitat e tij, kudo që janë të pakënaqur me qeverisjen e kryetarëve të komunave përkatëse, mund të iniciojnë procedurë. Procesi i nxjerrjes së një udhëzimi administrativ ka zgjatur shumë, që të marrë gati gjysmë viti është shumë. Nuk dëshiroj të them që Qeveria ka dashur të blejë kohë, Qeveria nuk ka arsye as motiv, bazë e të drejtë, por as nuk i bie mirë as Qeverisë që të blejë kohë sepse përmbushja e këtyre kushteve është domosdoshmëri që të hiqen masat që janë dëmtuese për vendin”, ka thënë ai.
Ai është deklaruar edhe për përmbajtjen e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u hartua nga zyrtarët evropianë.
Baraliu ka thënë se e ka parë përmbajtjen e tij të cilën e ka konsideruar si të dëmshme dhe të papranueshme për Kosovën.
“E kam parë përmbajtjen dhe jam shumë i shqetësuar që është e dëmshme, e papranueshme, e defunksionalizon shtetin e Kosovës, e marxhinalizon deri në tjetërsim të tij, duke krijuar një strukturë shtetërore paralele në Kosovë dhe po çuditem me heshtjen e opozitës sikur nuk ka ndodhur asgjë, si duket presioni ndërkombëtar e ka bërë sepse e kanë ditur edhe më herët se çfarë ka brenda. Tani po heshtin të gjithë, po hesht opozita, mediat, Qeveria”, ka thënë ai.