Arbëri

Banorët pengojnë punimet e “Ferronikelit” në pronat që i konsiderojnë të tyre

Me pretendimin se pronat janë të tyre, disa banorë të Çikatovës së Vjetër kanë kundërshtuar punimet e kompanisë “Ferronikeli” në atë zonë. Ndaj protestës së banorëve ka ndërhyrë policia, e cila ka intervistuar disa prej tyre. Deklaratë para policisë ka dhënë edhe Genci Beribashi, drejtori i përgjithshëm i “Ferronikelit”. Policia nuk ka konfirmuar arrestime, derisa ka thënë se intervistimi i shërben zbardhjes së rrethanave të rastit

Kontesti pronësor për një pjesë malore të fshatit Çikatovë e Vjetër, që ka zënë fill katër vjet më parë, është riaktualizuar sërish, deri në përplasje fizike në mes banorëve të lagjes “Morina” dhe drejtuesve të kompanisë “Ferronikeli”. Skena të tilla janë parë gjatë ditës së mërkurë, ku afro 30 banorë ishin mbledhur për të protestuar, për, siç kanë thënë, mbrojtjen e pronave të trashëguara. Protesta është organizuar për të kundërshtuar punimet e kompanisë.

Skënder Morina njëri nga banorët tregon se drejtori i “Ferronikelit”, Gendi Beribashi, e mori vetë kazmën në dorë në përpjekje të nisjes së punimeve për rrethim të pronës në mal.

“Kah ka marrë guxim që të vijë në fshat këtu, para fëmijëve, para grave, para neve të shesë trimëri e të bëjë hyxhym me kazmë. Kemi tentuar edhe ne t’ia marrim kazmën, kemi shkuar, policia na kanë rrokë, grave e fëmijëve u ka rënë të fikët këtu”, ka thënë Morina.

Policia ka ndërhyrë për të evituar përplasjen. Në polici më pas janë intervistuar të paktën pesë banorë, që kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga pretendimet mbi pronën.

Lumni Morina, që po i priste bashkëfshatarët ta jepnin deklaratën e tyre, tha se banorët e kanë përjetuar si dhunë ndërhyrjen e kompanisë “Ferronikeli” në pronat që i konsiderojnë si të tyre.

“Drejtori i ‘Ferronikelit’ ka ardhur në mënyrë të dhunshme, me kompaninë e tij dhe kanë ardhur në pyllin tonë, në mal. E ka marrë kazmën në dorë dhe ka dashur të punojë dhunshëm. Aty ka pasur fëmijë, ka pasur gra, ka pasur edhe njerëz të traumatizuar, 42 vetë nga Çikatova janë të vrarë nga lufta e ish-Jugosllavisë që e ka bërë masakrën”, ka thënë Morina.

Një banor tjetër, Arsim Dushaku, ka theksuar se kompania po pengon edhe qasjen në rrugë që i lidh këto familje me prona të tjera.

“Ai pretendon se është e prona e tyre, ne e dimë se është toka jonë. Kemi paguar tatim deri vonë për këtë tokë. Nuk e di... Ai përpiqet ta bëjë një rrethojë atje. Ne na pengon. S’mund të hymë as në mal, as s’mund të shkojmë në tokën tonë, as që mundemi të qarkullojmë”, është shprehur Dushaku.

Drejtori i kompanisë, Genci Beribashi, ka thënë shkurt se prona i është bartur kompanisë për shumë vite dhe se aktualisht ka dështuar shteti ligjor.

“Nesër do ta kemi një deklaratë për shtyp për shkakun e dhunës dhe mosgarantimit të funksionalitetit të shtetit ligjor në Kosovë dhe mosgarantimin e pronës private qoftë të individit apo të një kompanie”, ka thënë Beribashi.

Siç e kanë konfirmuar banorët, një nga banorët nga shqetësimi psikologjik i konfliktit ka përfunduar në ambulancë. Në policinë e Kosovës kanë thënë se Prokuroria i ka dhënë autorizime t’i intervistojë palët e përfshira.