Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Banorët në Kërvasari kundërshtojnë vendosjen e gurëthyesit në fshat

Banorë të fshatit Kërvasari kanë protestuar të premten para ndërtesës së Komunës së Malishevës, për të kundërshtuar vendosjen e një gurëthyesi, të cilit ata po i druhen.

Me këtë rast ata kanë paralajmëruar se do të organizojnë edhe protesta të tjera, deri në realizimin e së drejtës themelore për jetë dhe shëndet të plotë.

Në një informatë drejtuar portalit Koha.net, banorët e këtij fshati kanë theksuar se fenomeni i hapjes së veprimtarive të gurthyesve po ndikon drejtpërdrejti në vështirësimin e jetës së komunitetit që jeton afër tyre dhe po shndërrohet në një dukuri shqetësuese anembanë territorit, shkruan sot Koha Ditore.

“Duke parë heshtjen totale dhe asnjë reagim të organeve kompetente në mbrojtjen e ambientit dhe shëndetit të qytetarëve, banorët po detyrohen të marrin iniciativa vetjake në parandalimin e tyre dhe mbrojtjen e të drejtave elementare të tyre”, thuhet në informatë.

“I tillë së fundi është rasti me banorët e fshatit Kërvasari të Komunës së Malishevës, të cilët po kanosen nga fillimet e punimeve të një kompanie për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit shumë afër shtëpive të banueshme. Qytetarët e këtij vendi, të shqetësuar skajshmërisht nga kjo çështje kanë kërkuar informata rreth asaj nëse ky operator ka leje për ta zhvilluar veprimtarinë e tij, si në organet komunale, ashtu edhe në Ministrinë e Minierave dhe Mineraleve, por që fatkeqësisht kanë trokitur në dyer që fare nuk janë hapur”, shkruan aty.

Edhe Në Malishevë protestohet kundër gurthyesve Arbëri Në Malishevë protestohet kundër gurthyesve

Ata kanë sqaruar se gjatë ditës kanë takuar kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili u ka premtuar se do ta shqyrtojë rastin dhe do të veprojë në parandalimin e kësaj dukurie, sikurse që ka shprehur gatishmërinë për t'i përkrahur qytetarët në këtë drejtim.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore