Drunj gjysmë të rrëzuar mund të shohësh në parkun e qytetit të Prishtinës.
Kanë qenë të shpeshta rastet që drunjtë janë rrëzuar në këtë park, duke paraqitur edhe rrezik për ata që kalojnë kohë këtu, raporton 038 e KTV-së.
Banorët përreth thonë se sa i përket kësaj çështjeje, hapësira është duke u degraduar.
250 metra drunj, dhuroi Komuna e Prishtinës gjatë javës për familjet në nevojë. Drunjtë ishin prerë në parkun e Gërmisë si pjesë e pastrimit fito-sanitar. Zyrtarë të ndërmarrjes komunale “Hortikultura” thonë se kanë kërkuar që një pastrim i tillë të bëhet edhe në parkun e qytetit dhe atë të Taukbashqes.
Megjithatë, drunjtë e rrezikshëm thonë se i largojnë si pjesë e mirëmbajtjes.
Shefi i shërbimeve publike, Habib Qorri, ka thënë për KTV-në se në Gërmi është dashur të merren leje edhe nga niveli qendror, për shkak se zona është e mbrojtur. Ai ka thënë se që në vjeshtë, kanë nisur largimin e drunjve të dëmtuar në qytet, kryesisht plep dhe bagrem. Sipas tij, në parkun e qytetit dhe atë të Arbërisë do të nisin me largim të drunjve të dëmtuar.