Ndërtimin e trotuarit në lagjen “Iliria” të Kamenicës po e kundërshtojnë qytetarët e kësaj lagjeje. Ata thonë se lartësia e anësorëve do t’ua vështirësojë qasjen me vetura në biznese dhe shtëpi. Këtë projekt po e kundërshton edhe opozita në këtë komunë. Kryetari Rahimaj thotë se projekti ofron zgjidhje edhe për çiklistët.
Projekti i Komunës së Kamenicës për ndërtimin e trotuarit në lagjen “Iliria” po kundërshtohet nga banorët dhe bizneset që operojnë në këtë lagje.
Ata thonë se anësoret e trotuarit janë shumë të larta për të pasur qasje me makinë, në shtëpitë e tyre apo për të ofruar shërbime nga lokalet afariste.
Banori i lagjes “Iliria” Fatos Rexhepi, i cili ka një biznes në këtë lagje, thekson se shumica e konsumatorëve parkonin veturën para lokalit dhe merrnin shërbimin, tani veturat nuk mund të ndalen, prandaj atij tash i është pakësuar puna.
“Projekti i komunës është i mirëseardhur në përgjithësi, por mua personalisht më ka shkaktuar probleme të mëdha, për shkak se nuk kam qasje në shtëpi, e ka vështirësuar qasjen edhe në biznes, më ka dëmtuar shumë në biznesin tim... shumicën prej klientëve i kemi që ndalen me vetura”, ka theksuar Rexhepi.
Edhe Arben Demaj konsideron që trotuari me anësoret e larta ia vështirëson qasjen në shërbimet që ofrojnë bizneset përgjatë rrugës.
“Unë si konsumator, si blerës këtu, mendoj që kjo na sjell telashe të jashtëzakonshme, nuk kemi ku ta parkojmë veturën dhe kjo na nxjerr telashe”, ka deklaruar Demaj.
Ndonëse nuk e kundërshton projektin në tërësi, kryetari i degës së LDK-së në Kamenicë, Jeton Biqkaj, thotë se trotuari duhet të jetë në shërbim të qytetarëve e jo t’ua vështirësojë punën.
“Me fillimi e realizimit të këtij projekti, qytetarët kanë ngritur shqetësimin për shkak të qasjes në objektet e tyre apo në bizneset e tyre, që kryesisht janë biznese individuale, biznese familjare. Mirëpo ka edhe biznese më të mëdha që kanë 3 apo 4 punëtorë dhe qasja e klientëve vështirësohet, andaj e kanë ngritur shqetësimin me të drejtë”, ka theksuar Biqkaj.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë që ky projekt synon që të krijojë shtigje për biçikleta dhe se në bashkëbisedim me ta kanë mbërritur në një kompromis.
“Ne jemi të sigurt që kompromisi që kemi bërë nga 12 centimetra në 6 centimetra për nivelin e lartësisë së anësores do të jetë i pranueshëm për të gjithë, ndërsa po bëjmë edhe zgjidhjen e një problemi të madh të ujërave atmosferike dhe trotuar shumë cilësor për këmbësor dhe çiklistë”, është shprehur Rahimaj.
Projekti për trotuar në lagjen “Iliria” parasheh që të jetë i gjerë mbi 4 metra e aty pritet të përfshihen edhe shtigjet për biçikleta, si dhe gjelbërimi.