Arbëri

Banorët e zonës “Qendër” kërkojnë të ndalohet tarifimi nga Prishtina Parking deri në ndërrimin e qeverisë lokale

Banorët e zonës “Qendra” në Prishtinë, po vazhdojnë protestimin ndaj tarifimit nga Prishtina Parking për parkingje.

Visar Rrecaj që punon në atë zonë, ka thënë se qytetarët dhe bizneset e kësaj zone, po kërkojnë që tarifimi e aplikimi që po bën Prishtina Parking të ndalohet derisa të vijë qeveria e re lokale e të vendoset më pas tarifim i ri e rregullore e re.

Ai ka thënë se tarifat aktuale janë të papërballueshme për qytetarët.

“Menaxhimi nga Prishtina Parking, që po i bëhet parkingjeve sidomos në zonën ‘Qendër’, po shkakton probleme të vazhdueshme e të paparashikueshme. Ankesat kryesore të banorëve e neve si biznese janë për faktin se Parking Prishtina ka filluar me tarifim, por edhe nëse e paguan shumën nuk e ke një parking të veçantë të shënuar për ty. Mund të zihet parkingu nga një qytetar i cilitdo vend të Kosovës që paguan tarifën. Tarifa për banorët rezidentë është 10 euro në muaj për veturën e parë, 30 euro për të dytën, 45 për të tretën. Për biznese 45 euro për të parën. Janë tarifa të papranueshme për banorët e bizneset. Përfaqësuesja e lagjes ka kryer bisedat me Komunën. Kemi protestuar 3-4 ditë rresht. Edhe sot kishim një protestë. Si banorët ashtu edhe ne bizneset kemi shfaqur kërkesat tona artikulluese. Kërkesa është që ky tarifim e aplikim që po bën Prishtina Parking të ndërpritet deri sa të vijë qeveria e re lokale. Të vijë qeveria e re e të vendoset tarifim i ri, rregullore e re që do të bëhet në përputhje të plotë edhe me qytetarët. Qytetarët e kësaj zone si dhe ne bizneset, nuk jemi kundër menaxhimit të parkingut. Por këto parkingje e këto janë të rregulluara moti, secila banesë e ka një parking të veçantë e po ashtu secili biznes. Pajtohemi të paguhet për veturë të dytë, por jo 10 euro. Për biznese mund të jetë 10 euro por jo për qytetarët. Me këtë po imponohet se sa vetura mund të kenë banorët e kësaj zone”, ka thënë Rrecaj për emisionin “60 Minuta” në KTV.