Banorët e fshatrave Uçë e Rakosh edhe sot protestuan para objektit të Komunës dhe Kompanisë “Hidrodrini” me kërkesën që të rregullohet sistemi i ujit dhe të ketë ujë të paktën dy orë në ditë.
Lajmin është bërë me dije në faqen e këtij fshati në Facebook.
“Asnjë zyrtarë komunalë nuk pati guxim që të ju dalë përpara protestuesve, për t’i dëgjuar hallet e tyre. Protestuesit nuk u zmbrapsën dhe u futen brenda objektit të Komunës për të ua thënë në sy të vërtetën dhe qëllimin e protestës”, thuhet në njoftimin.
Banorët e Uçës e Rakoshit në Istog protestojnë për mungesë të ujit, Komuna u premton tash 3 vjet
“Si gjithmonë zyrtarët komunalë nuk morën asnjë faj përsipër ani pse për t’i marrë meritat janë të parët, ndërsa në Kompaninë ‘Hidrodrini’ dëgjuam më shumë gënjeshtra e fajësime sesa përpjekje për ta zgjidhur problemin. Mirë që ajri nuk është në duart e tyre”, thuhet më tej aty.
Banorët e këtyre dy fshatrave thonë se nuk e kanë ndërmend të dorëzohen, e paralajmërojnë edhe protesta të tjera.
“Me shpresë që pas dy protestave do të kemi reflektim nga pushtetarët, në të kundërtën protestat e aksionet nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave tona”, thuhet në njoftim.
