Arbëri

Banorët e Uçës e Rakoshit në Istog protestojnë për mungesë të ujit, Komuna u premton tash 3 vjet

Nga ky burim do të duhet të furnizohen me ujë banorët e fshatit Uçë e Rakosh të Istogut. Për këtë, banorët e këtyre fshatrave janë mbledhur për të protestuar.

E në shenjë proteste, ata e ndalën ujin për dy orë. Ata thonë që burimin në pronat e tyre nuk mund ta shfrytëzojnë për shkak të keqpërdorimit, raporton KTV.

Që nga vitet ’70, banorët thonë që kanë kontribuuar me të holla për të nisur ujësjellësin. Por, sipas Alijajt, ata asnjëherë nuk janë furnizuar me ujë. Madje, ai thotë që paguajnë faturat e sistemit të ujësjellësit.

Banorët po fajësojnë edhe Komunën e Istogut dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidro Drini” për keqmenaxhim. Sipas tyre, “Hidro Drini” u ka thënë se nuk ka ujë të mjaftueshëm.

Madje, për shkak të neglizhencës disamuajshe, ata thonë që do të vazhdojnë të protestojnë.

Ndërkaq, ka tre vjet që Komuna e Istogut u ka premtuar këtyre banorëve ndërtimin e një ujësjellësi që do të furnizonte fshatrat Uçë e Rakosh me ujë. Ky projekt pritet të ndërtohet përmes një kredie prej rreth 5 milionë eurosh, e që për garantues do ta ketë Qeverinë e Kosovës.