Arbëri

Banorët e fshatit Kosinë në Ferizaj në hall me rrjetin e kanalizimit

Një pjesë e banorëve të fshatit Kosinë të Komunës së Ferizajt prej vitit 2014 përballen me kundërmim nga rrjeti i kanalizimit, i cili përfundon pranë shtëpive të banimit.

Problemet edhe më shumë thellohen kur ka të reshura të shiut, andaj banorët po frikësohen se mund të paraqitet ndonjë epidemi.

Së fundi në këtë rrjet janë kyçur edhe fshatrat Slivovë dhe Llojzë, andaj kundërmimi po e vështirëson jetën e banorëve. Këshilli i fshatit shpeshherë mblidhet për të debatuar rreth këtij problemi pasi që Komuna deri tash nuk u ka bërë ndonjë zgjidhje, raporton KOHA.

Hysen Reshani, përfaqësues i këtij fshati, ka thënë se në emër të 150 familjeve të këtij fshati ka adresuar 3 kërkesa zyrtare në komunë për ta rregulluar çështjen e ujërave të zeza, mirëpo deri tash nuk ndodhur asgjë konkrete. Ndërkaq bashkëvendësi i tij, Ramadan Lushi, ka thënë se nuk po i mbetet zgjidhje tjetër veçse të largohet nga fshati.

Në Komunën e Ferizajt është thënë se ky projekt ka filluar në vitin 2014 nga qeverisja e shkuar, mirëpo punimet janë zvarritur shkaku i mungesës së buxhetit.

Zyrtarët komunalë janë zotuar se kjo çështje do të rregullohet gjatë këtij viti derisa Komuna është në proces të ndërtimit të kolektorit në të cilin do të kyçen disa lokalitete, përfshirë edhe Kosinën.