Arbëri

Banorët e Firajës dhe Brodit ankohen për dëmtim të rrugës nga automjetet e rënda

Këshillat e fshatrave Firajë dhe Brodë të Komunës së Shtërpcës në orët e hershme të mëngjesit kanë bllokuar dy hyrje-daljet e lokaliteteve për automjetet e rënda transportuese me arsyetimin se rrugët lokale po dëmtohen derisa Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna po punojnë në rrugën kryesore Kaçanik-Shtërpcë.

Përfaqësuesit e këtyre lokaliteteve janë ankuar edhe në Komunën e Shtërpcës dhe kanë kërkuar marrëveshje për riparimin e rrugëve pas përfundimit të projektit të rrugës kryesore, mirëpo deri tash, një gjë e tillë nuk ndodhi, raporton KOHA.

Heset Ramadani, përfaqësues i fshatit Firajë, tha se shenjat e komunikacionit tregojnë qartë se nuk lejohet të futen nëpër vendbanime automjetet transportuese me peshë mbi 12 tonë, mirëpo ky rregull nuk po përfillet nga kompanitë transportuese.

Edhe banori tjetër, Erzen Islami, tha se rreth kësaj çështjeje janë ankuar edhe në Polici, mirëpo askush nuk ka marrë masa për parandalimin e qarkullimit të automjeteve të rënda transportuese.

Në anën tjetër, Fikri Hasani, nënkryetar i Komunës së Shtërpcës, përmes telefonit ka thënë se Komuna i ka vendosur shenjat e komunikacionit në këto lokalitete, mirëpo kompanitë nuk i kanë respektuar. Sipas tij, Komuna ka biseduar edhe me Ministrinë e Infrastrukturës që të riparohen rrugët lokale, të cilat janë dëmtuar derisa po realizohet projekti i rrugës rajonale, Shtërpcë – Kaçanik.