Arbëri

Banorët e dy fshatrave në Ferizaj kërkojnë vendosjen e barrierave për parandalim të aksidenteve

Banorët e fshatrave Sazli dhe Softaj prej vitesh po kërkojnë nga Komuna e Ferizajt vendosjen e disa pengesave në rrugë derisa automjetet po qarkullojnë me shpejtësi të madhe përmes rrugës kryesore që lidhë disa fshatra të tjera. Në këtë rrugë lokale gjashtë kilometërshe, gjatë periudhës së fundit kohore janë shkaktuar së paku dhjetë aksidente, madje edhe me fatalitet si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë nga vozitësit. Rreth kësaj çështje banorët e fshatit Sazli tashmë kanë deponuar në Komunë edhe një peticion me rreth 50 nënshkrime. Banorët kanë thënë se për çdo ditë janë të rrezikuar nga automjetet, andaj kërkojnë nga Komuna shqyrtimin e kërkesave të tyre.

Sylë Zeneli, banor i fshatit Softaj, ka thënë se në vitin e kaluar një automjet me shpejtësi të madhe ia ka mbytur prindin para derës së oborrit.

“Është shumë shqetësuese se në këtë rrugë lokale nëpërmjet të cilës lidhen disa fshatra, vozitësit zhvillojnë shpejtësi të madhe deri 120 km/h, megjithëse sipas rregullave të komunikacionit nuk lejohet të vozitet mbi 40 km/h. Prindi im e ka humbur jetën para dyerve të oborrit derisa një automjet e ka humbur kontrollin dhe e ka goditur me shpejtësi të madhe. Ne kërkojmë vendosjen e disa pengesave në rrugë në mënyrë që mos të kemi edhe humbje të jetës së njerëzve apo fëmijëve”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, së paku dhjetë aksidente janë shkaktuar gjatë kohës së fundit në këtë aks rrugor.

Selami Salihu, banor nga fshati Sazli, ka thënë se vazhdimisht janë të rrezikuar qytetarët nga zhvillimi i ngasjes së veturave me shpejtësi jashtë normave. “Në zonën e limituar 40 km/h nuk respektohen kufizimet, andaj pasojat kanë ndodhur me dhjetëra aksidente me lëndime trupore dhe ne vitin e kaluar ka pasur edhe aksidente me fatalitet. Kërkojmë nga ana e autoriteteve përgjegjëse që të vendosin barriera fizike me qellim të ngadalësimit të shpejtisë së veturave që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve e sidomos e fëmijëve”, ka thënë Salihu, duke shtuar se në këtë aks të rrugës prej gjashtë kilometrash nuk ka as trotuar.

Në anën tjetër, Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, ka thënë se tashmë janë në dijeni me shqetësimet dhe kërkesat e banorëve të këtyre dy lokaliteteve, andaj zotohet se do ta bëjnë një zgjidhje rreth kësaj çështje. “Fillimisht Policia e Kosovës është përgjegjëse për tejkalim të shpejtësisë së automjeteve në trafik derisa ekzistojnë edhe tabelat në shumicën e rrugëve. Por, sidoqoftë ne si komunë jemi në dijeni për këto shqetësime dhe jemi duke e shqyrtuar mundësinë për vendosjen e pengesave më të gjera në këtë aks të rrugës e cila lidh disa fshatra”, është zotuar Halili, duke kërkuar nga Policia që të vendosin patrulla më të shpeshta në këtë aks të rrugës derisa komuna t’i shqyrton kërkesat e banorëve për vendosjen e barrierave në rrugë.

Image