200 metra larg shtëpive e zhvillon veprimtarinë ky gurthyes në fshatin Qirez të Skenderajt.
Banorët që thonë se ndihen të rrezikuar nga gurët e dridhjet e tokës që shkaktohen nga minimi i gurthyesit, protestuan të shtunën, duke bllokuar rrugën e fshatit, raporton KTV.
Ata thonë se edhe ujin nuk po mund ta përdorin për pije.
Banorët thonë se kjo është protesta e dytë, duke shtuar se janë ankuar shumë herë në Komunën e Skenderajt në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Për vizitë, këtë të shtunë banorëve u erdhi edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila u premtoi se do të merret me këtë çështje.
Përkundër që ka më shumë se 6 vjet që këta banorë jetojnë me frikën se mund t’u ndodhë diçka e keqe, sipas tyre, as Komuna, as Ministria e Mjedisit e as deputetët e kësaj ane nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret për zgjidhjen e këtij problemi.
Zyrtarë të Komunës së Skenderajt nuk janë përgjigjur në thirrjet e KTV-së.