Arbëri

Bankat fitojnë milionat, dividenta u shpërndahet aksionarëve pa u taksuar

Foto: Driton Paçarada / KD

Bankat komerciale vitin e kaluar kanë fituar mbi 117 milionë euro apo rreth 47 për qind më shumë sesa në vitin 2020. Mbi 96 milionë prej tyre u janë shpërndarë si dividentë aksionarëve. Por, për këtë devidentë nuk paguhet tatim që nga viti 2008. Sipas ekonomistëve, edhe pse kjo politikë për uljen e taksave është bërë për tërheqjen e investimeve, nuk ka dhënë rezultat, pasi që investimet nga jashtë janë kryesisht në patundshmëri

Mbi 117 milionë euro kanë fituar 11 bankat komerciale në Kosovë gjatë vitit 2021. Ky fitim është për rreth 47 për qind më i madh se sa ai i gjeneruar në vitin 2020.

Nga ky fitim, mbi 96.6 milionë euro janë shpërndarë si dividentë tek aksionarët, shumica e të cilëve janë të huaj. Por, për to nuk është paguar asnjë tatim, pasi që nga viti 2008 ishte larguar tatimi mbi dividentë, për t’i tërhequr investitorët e huaj.

Sipas Edison Jakurtit, doktorant i ekonomisë, largimi i kësaj politike ishte bërë duke besuar në siç ka thënë “përralla neoliberale, që sa më të ulëta të jenë tatimet, do të ketë më shumë investime”.

“Kjo është bërë për t’u thënë investitorëve: ejani investoni në Kosovë se ka kushte shumë të mira fiskale. Kur i sheh investimet e huaja në Kosovë vitin e kaluar, për mbi 92 për qind kanë qenë në patundshmëri, është mërgata jonë, diaspora shqiptarët e Kosovës, të cilët në vend se t’i lënë paratë në bankat evropiane ku normat e interesit janë negative, ata vijnë dhe blejnë në Kosovë, bëjnë investime në patundshmëri”, ka thënë ai.

Ka thënë se shumica e vendeve të tjera kanë marrëveshje që edhe nëse marrin dividentë në Kosovë në vendet e tyre paguajnë tatim për atë devidentë. Kosova ka hequr dorë nga ky tatim dhe ai shkon në vendet e tjera.

“Asnjë vend i rajonit nuk ka zero për qind në devidentë. Më duket Bosnja e ka më të ulëtën, 5 për qind, por të gjitha vendet e kanë një pjesë tatim, por Kosova nuk e ka. Edhe në Evropë nëse e shihni, do të gjeni Estoninë dhe Letoninë, në kushte të caktuara që nuk marrin devidentë, por jo në secilin rast siç është Kosova”, ka thënë ai.

Thotë se “nëse punon dhe ke pagën mbi 80 euro paguan tatim, ndërsa nëse je aksionar dhe ke milionat nga dividentat që merr, në Kosovë nuk paguan asnjë cent.

Sipas të dhënave të BQK-së, gjatë 2021 vlera e investimeve të huaja direkte ishte 415 milionë euro, prej të cilave 92 për qind në patundshmëri.

Më 16 mars 2020, BQK-ja ndërmori masën e përkohshme të ndalimit të shpërndarjes së dividendës, me qëllim të ruajtjes së profitit të realizuar për mbulimin e kërkesave për provizione shtesë dhe humbjeve të mundshme kreditore.

Nga ky institucion nuk kanë treguar pse Kosova nuk ka tatim mbi dividentë, e as nëse parashihet që të ndryshohet. Për këtë kanë thënë, se duhet pyetur Ministria e Financave.

Profesori i financave, Florin Aliu, thotë se kthimi i tatimit në dividentë duhet të bëhet me një analizë të thuktë.

“Nëse mendojmë që përmes taksimit do të mund të gjenerojmë të ardhura më të mëdha, mendoj që gabohemi, pasi zhvillimi vjen nga sektori privat dhe jo publik. Cilat janë inovacionet që vijnë nga sektori publik? Duhet t’i lëmë hapësirë më të madhe të sektorit privat. Në këtë situatë migrimi që kemi, tentimi që të rritet sa më shumë taksa dhe të akumulohen para në buxhet dhe përmes kësaj të shpërndahen përmes skemave sociale, mendoj që është rrugë pa kthim”, ka thënë ai.

Kthimi i tatimit në dividentë në nivel prej 10 për qind ishte propozuar kohë më parë, por sipas Ministrisë së Financave bizneset dhe shoqëria civile kanë qenë që të mos inkuadrohet kjo masë në propozimet -ligjet tatimore.

Një raporti i Odës Amerikane të Kosovës thotë se grupet e punës në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) vazhdojnë të avokojnë për vendosjen e një takse mbi dividentën në Kosovë që do të bënte të obligueshëm tatimin si për rezidentët ashtu edhe për jorezidentët.

Pretendohet se një taksë e re mbi dividentën do të parandalonte daljen e mundshme të kapitalit dhe fitimin e pataksuar nga vendi.

Odat ekonomike kanë mbështetur politikën pa taksë mbi dividentën për ta mbajtur stimulimin e investimeve dhe pagesave të dividentës në sektorin privat.

Analiza e OEAK-ut përmend pasojat e mundshme të vendosjes së një takse të re mbi dividentën.

Sipas saj, politika pa taksa për dividentët sigurisht që ka kontribuuar në rritjen e pagesave të dividentave në Kosovë.

“Analizat e regresionit tregojnë se përfitimi dhe kapitali kanë korrelacion pozitiv me shpërndarjen e dividentës, ndërsa pengesat e brendshme, të tilla si taksat e dividentës, kanë një lidhje negative me shpërndarjen e dividentës”, thuhet në analizë.

Aty thuhet se nëse Qeveria do të prezantonte një rregullore të re për ta shmangur mospagimin e taksave, atëherë kjo do të kishte pasoja të tjera të mundshme, duke përfshirë ndërlikimin e sistemit aktual të taksave, rritjen e kostove për pajtueshmëri e mbledhje të tatimit dhe rritjen e rrezikut të humbjes së të ardhurave të qeverisë, për shkak të ikjes së mundshme të kapitalit.