Presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin, ka ftuar investitorët nga Republika e Kosovës të investojnë në disa sektorë të ndryshëm, sidomos në Zonën Speciale Ekonomike të Bangladeshit.
Deklarata ka dalë nga takimi lamtumirës i Shahabuddinit me ambasadorin në largim të Kosovës në Bangladesh, Gunner Ureya.
Gjatë takimit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Bangladesh, Shahabuddini ka falënderuar Ureyan për “performancë të suksesshme”.
“Presidenti ka thënë se Bangladeshi është i interesuar t’i forcojë raportet bilaterale me të gjitha shtetet e botës. Kreu i shtetit ka vënë theksin në lidhjet në rritje në sektorët publikë e privatë mes dy shteteve, si mundësi për të eksploruar potencialet e mundshme për bashkëpunim dhe tregti e investime në mes të Bangladeshit dhe Kosovës. Raportet ekzistuese në mes të dyja shteteve do të forcohen në ditët në vijim, shpreson Shahabuddini”, thuhet në raportimin e mediumit BSS.
Ndërkaq ambasadori në largim i Kosovës ka lavdëruar zhvillimin socio-ekonomik të Bangladeshit në disa sektorë.
Mungesa e fuqisë punëtorëve muajve të fundit në Kosovë ka nisur të plotësohet me angazhimin e punëtorëve nga Azia, sidomos nga shteti i Bangladeshit.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë thënë se gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, janë lëshuar 106 leje qëndrimi për qëllime pune vetëm për shtetas të Bangladeshit. 13 leje punë janë lëshuar për banorë të Nepalit, por ka edhe të vendeve të tjera.
Edhe
Bangladeshi i kërkon Kosovës t’i rekrutojë punëtorë e t’i importojë veshmbathje dhe barna
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, paga mesatare në shtetin e Azisë Jugore, është rreth 150 euro neto.
Në Facebook janë hapur disa grupe ky qytetarë të shumtë të shtetit në Azinë Jugore kanë publikuar garancinë për viza e kontrata pune nga Kosova. Në një kontratë që e ka siguruar KOHA, thuhet se një firmë nga Skenderaj, e cila merret me prodhim, ka angazhuar një punëtor nga Bangladeshi me pagë 420 euro në muaj. E, në një garanci të një kompanie ndërtimi në Podujevë, thuhet se M.A. nga Bangladeshi, në Kosovë do të ketë të siguruar edhe sigurimin shëndetësor, fjetjen dhe ushqimin.