Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajrami: Pa kaluar ende 10 ditë, blloku A5 sërish jashtë funksionit

kek

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Blloku A5 në termocentralin Kosova A ka dalë sërish jashtë funksionit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajrami ka akuzuar Qeverinë që po i vendosë “në koma” ndërmarrjet publike.

“Pa u bë ende 10 ditë, blloku A5 del prapë jashtë funksionit. Thoshin se do të ndalet ''gjakderdhja finaciare'', këta duan me i qitë në 'komë' ndërmarrjet publike. Ministrja e pati cilësuar dhuratë kthimin në punë të bllokut A5, doli të jetë dhuratë, se vetëm dhuratat zgjasin kaq pak. Për qëndrueshmëri duhet punë konsistente - do me ju shku mandati pa e kuptuar këtë gjë”, ka shkruar ajo.

Më 7 maj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli njoftoi se njësia A5 është rikthyer në operim. Njoftimin e bëri duke thënë se ky lajm ishte dhurata më e mirë për ditëlindje.

“Punonjësit e Kosovës A më dhanë dhuratën më të mirë për ditëlindje: rikthimi i njësisë A5 në operim. Së bashku me menaxhmentin dhe punonjësit festova ditëlindjen dhe rikthimin e njësisë në termocentralin Kosova A. Në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës u shpreha mirënjohjen e pafund për punën me përkushtim për rikthimin e bllokut A5, si dhe për prodhimin me tri njësitë njëkohësisht përkundër sfidave”, ka shkruar ajo në Facebook.