Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami së bashku me rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në shtetin e Ajovas, Bajrami do të takohet me Guvernatorin Terry Branstad, sekretarin e shtetit të Ajovas, Paul Pate si dhe drejtorin e Departamentit të Edukimit, Ryan Wise me të cilët do të bisedojë për mundësitë dhe modalitetet e bashkëpunimit në sektorin e Arsimit të Lartë.
Me këtë rast, ministri i Arsimit do të nënshkruajë katër Marrëveshje Bashkëpunimi me universitetet më të mira të Ajovas.
Ndërsa gjatë qëndrimit në SHBA, ministri Bajrami do të vizitojë edhe disa institucione të Arsimit të Lartë të Nju Jorkut.