Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar shifrat që kryeministri Albin Kurti i publikoi lidhur me të hyrat në vend në gjashtë muajt e fundit.
Bajrami, që ka qenë ministre e Financave, tha se Kurti po e ofendon çdo qytetar më këto numra dhe lëvdata, duke shtuar se “më së shumti je duke i ofenduar ata që vitin e kaluar e kanë blerë një litër vaj 99 cent e sot e blejnë 1.55 euro”.
“Normal se ka 34% më shumë se vitin e kaluar të hyra nga tatimi në të ardhurat e korporatave, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur e shumica e korporatave nuk kanë pasur mundësi të shesin asnjë produkt nga 11 marsi deri me 5 qershor. Normal se ka 37% më shumë TVSH të mbledhur se vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur. Normal se ka 95% më shumë tatim në pronë të mbledhur këtë vit sepse vitin e kaluar qytetarët për shkak të mbylljes as që kanë pasur mundësi ta paguajnë tatimin në pronë”, thuhet në statusin e saj.
Ajo ia ka parashtruar Kurtit disa pyetje për ringjalljen ekonomike dhe vaksinimin kundër koronavirusit.
“Kryeministër, trego për të ardhmen, se në ekonomi krejt çka po ndodhë është meritë e madhe e bizneseve, qytetarëve, konsumit që vjen nga prezenca e mërgimtarëve tonë, masave të rimëkëmbjes ekonomike të qeverisë se kaluar dhe natyrisht inflacionit. Asnjë vendim nuk keni marrë që ndihmon ekonominë, asnjë”, thuhet tutje.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së tij ka pasur rritje të të hyrave prej 33 për qind, më shumë se sa rritja e aktivitetit ekonomik, duke iu falënderuar uljes së informalitetit.
Në një postim në Facebook, Kurti ka potencuar se të hyrat e mbledhura brenda vendit po rriten me ritëm më të shpejtë, se sa të hyrat që mblidhen në kufi.