Arbëri

Kurti: Në 6 muajt e parë të qeverisjes pati rritje të të hyrave

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se në 6 muajt e parë të qeverisjes së tij ka pasur rritje të të hyrave prej 33 për qind, më shumë se sa rritja e aktivitetit ekonomik, duke iu falënderuar uljes së informalitetit.

Në një postim në Facebook, Kurti ka potencuar se të hyrat e mbledhura brenda vendit po rriten me ritëm më të shpejtë, se sa të hyrat që mblidhen në kufi.

“Qarkullimi i bizneseve në 6 muajt e parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 30 për qind, ndërsa vetëm në tremujorin e dytë rritja është edhe më impresive dhe kap shifrën prej 46 për qind. Kjo rritje e aktivitetit ekonomik ka rezultuar edhe në performancë më të mirë në të hyra, ku 34 për qind ka më shumë të hyra nga tatimi në të ardhura të korporatave, 37 për qind më shumë TVSH e mbledhur dhe 95 për qind më shumë të hyra të mbledhura nga tatimi në pronë”, ka shtuar ai.

"Para zgjedhjeve kemi thënë se do ta çlirojmë potencialin e biznesit duke e nivelizuar fushën e lojës dhe duke ia hequr pushtetin zhvatës nga qafa. Këtë e bëmë dhe kjo tani po jep edhe rezultat”, thuhet në një infografikë të publikuar.