Arbëri

Azemi padit Ahmetin për shpifje, IKD-ja thotë se këto padi zgjasin me vite

Përplasja verbale që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pati me këshilltarin komunal, Egzon Azemi, ka përfunduar me padi ndaj Ahmetit.

Azemi ka deklaruar se padia bazohet mbi shpifjet që, sipas tij, kryetari i Prishtinës ia ka bërë atij, si dhe ofendimeve e fyerjeve në seancën e Kuvendit Komunal ku po diskutohej mbi buxhetin për kryeqytetin, raporton KOHA.

Deklaratat e Ahmetit se ka kërkuar punësimin e një familjari, Azemi tha se janë të pavërteta.

“Ishte akumulim i tij meqë asnjëherë nuk ka pasur mundësi të më akuzojë për asgjë tjetër dhe e ka gjetur një rast që një person e ka mbiemrin tim dhe për të hedhur mjegull e ta keqorientu debatin për buxhetin si më të rëndësishmin në Kuvendin Komunal, fillojë të hedhë shpifje të ulëta duke inskenuar situata të tilla”, tha Egzon Azemi - Këshilltar komunal në KK- Prishtinë.

Derisa Azemi shpreson që padia të shqyrtohet sa më shpejt, një gjë e tillë është pak e mundshme në praktikë.

Sipas Betim Musliut, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, lëndët e padive për shpifje në Kosovë fatkeqësisht janë duke i shkelur të gjitha afatet ligjore për trajtim.

“Në këtë rast padia e ngritur në këtë rast unë besoj që mund të vije në radhe pas katër pesë vitesh sepse praktika dëshmon se së paku 5 ose 6 vitesh janë nevojitur që të fillohet procedura e gjykimit të rasteve për shpifje. Ka raste kur zgjasin edhe më shumë se 5 ose 6 vite dhe nuk fillojnë procedurat e gjykimit të këtyre lëndëve”, tha Betim Musliu nga IKD.

Kryetari Ahmeti nuk ka qenë i qasshëm në tentimet për të marrë një qëndrim të tij.

Një ditë pas seancës Ahmeti kishte shkruar në Facebook se është emocional për nga natyra dhe se e pengojnë padrejtësitë mirëpo, sipas tij, rruga prej emocionit deri te përleshja fizike është shumë e gjatë dhe nuk e ka arritur ndonjëherë.