Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për sindikatat, dëshiron ta marrë si gabim të paqëllimshëm të tij. Kjo pasi sipas tij, nëse duhet të respektohen ligjet në fuqi atëherë duhet kryeministri Kurti i pari t’i respektojë, duke shtuar se ai nuk duhet t’i fusë duart në sindikata.
Ai ka thënë se askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në zgjedhjen e sindikatave.
Azemi ka thënë se kryeministri dhe ministrat kanë punë më të mençura që duhet të bëhen.
Kryeministri Kurti në një deklarim të tij pati thënë se uron që të ketë ndryshime gjithandej, duke i përfshirë edhe sindikatat.
“Në një protestë që e mbajta tash së fundi menjëherë më erdhën inspektorët që të kontrollojnë e të shohin se kush është Jusuf Azemi. Unë mendoj që inspektorët duhet t’i kontrollojnë bizneset që kanë punëtorë pa kontrata. Sa i përket sektorit privat nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Qeveria ka premtuar ndryshime dhe ne duhet t’i shohim ato që i kanë premtuar. Gjithë premtimet që janë thënë në fushatë, tash janë bërë tetë muaj dhe nuk është bërë asgjë. Ne kemi një inspektorat por nuk duket të jetë funksional në terren”, ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveria do duhej ta thërriste këshillin ekonomik social dhe ta caktojë pagën minimale por këtë nuk e bëri.
Azemi ka thënë se është premtuar se do të ketë gjykatë të punës, është premtuar gjithashtu që paga minimale të jetë 350 euro dhe nuk kemi asnjë sinjal më të vogël që kjo do të bëhet.
“Janë bërë shumë premtime, ne e dimë që të gjitha nuk mund t’i bëjnë të gjitha ato që i kanë premtuar porse duhet t’i realizojnë ato që janë më esenciale. Për këto që po i themi ne i kemi adresuar por nuk kemi marrë asgjë. Pse nuk mund të sigurohen punëtorët teknikë në spitale. Kjo tregon se shteti nuk është aspak serioz lidhur me këto kategori”, ka thënë ai.