Avokati i Popullit i ka refuzuar ankesën ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka e cila ishte ankuar kundër vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për ndërprerjen e mandatit të saj si kryesuese e KQZ-së.
Siç bëhet e ditur nga njoftimi, Avokati i Popullit vëren se Kushtetuta e Kosovës e përcakton kompetencën e Presidentes për të emëruar Kryetarin e KQZ-së, ndërsa e njëjta mbetet e heshtur sa i përket shkarkimit apo edhe ndërprerjes së mandatit të tij/saj.
Sipas njoftimit, çështja e ndërprerjes së mandatit dhe emërimit të anëtarëve të KQZ-së, duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e KQZ-së përcaktohet me Ligjin nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës mbi të cilin, në mes tjerash, bazohet vendimi i Osmanit.
Së këndejmi, Avokati i Popullit ka vlerësuar se çështja e ngritur nga Daka paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e vendimit të Osmanit, e që kjo nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Në anën tjetër, Avokati i Popullit ka gjetur se znj. Daka, nuk ka ofruar dëshmi se ka shteruar, apo që së paku ka përdorur mjetet juridike kundër Vendimit të Presidentes. Avokati i Popullit është bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese (Aktvendimi për Papranueshmëri në Rastin Nr. KI142/13, i datës 18 nëntor 2013, parashtrues Fadil Maloku, lidhur me Kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Nr.686-2013, të 6 shtatorit 2013), sipas të cilës gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë mjetet efektive juridike, të cilat duhet të shterohen para se çështja të ngritët në Gjykatën Kushtetuese. Për më tepër, Ligji për Avokatin e Popullit, neni 22, paragrafi 1, nën-paragrafi 4 përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar. Në rastin konkret znj. Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftim.
-
Haxhiu ka në shqyrtim materiale të reja për anëtarin e 11-të të KQZ-së
-
Presidentja nuk e kompleton KQZ-në
-
Pas vendimit të Kushtetueses, PDK-ja i kërkon Osmanit emërimin e anëtarit të dytë në KQZ
-
Kushtetuesja shpall të papranueshme kërkesën e Osmanit lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së
-
Osmani i drejtohet Kushtetueses për KQZ-në