Ehat Miftaraj, drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se duhen së paku 30 deputetë, për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Këtë kërkesë ish-kryetarja e KQZ-së e kishte drejtuar tek Avokati i Popullit. Por, ky institucion ka refuzuar t’i drejtohet Gjykatës me arsyetimin se Valdete Daka ndër të tjera nuk ka shterur të gjitha mjetet juridike
Edhe një mundësi ka mbetur që shkarkimi i Valdete Dakës të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese pas refuzimit që të njëjtën ta bëjë Avokati i Popullit.
Një ditë më parë, përmes një njoftimi, institucioni i Avokatit të Popullit, bëri të ditur se nuk do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin nëse dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Dakës është në përputhje me Kushtetutën apo jo.
“Avokati i Popullit vëren se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 84, paragrafi 26, e përcakton kompetencën e Presidentes për të emëruar Kryetarin e KQZ-së, ndërsa e njëjta mbetet e heshtur sa i përket shkarkimit apo edhe ndërprerjes së mandatit të tij/saj. Çështja e ndërprerjes së mandatit dhe emërimit të anëtarëve të KQZ-së, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e KQZ-së përcaktohet me Ligjin nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (neni 61, paragrafi 5) mbi të cilin, në mes të tjerash, bazohet Vendimi nr.42/2021, i datës 14 qershor 2021 i Presidentes së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Në arsyetimin e Avokatit të Popullit, ndër të tjerash thuhet se Valdete Daka nuk ka shterur të gjitha mjetet juridike, e që sipas këtij institucioni çështja e ngritur nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Për më tepër, Ligji për Avokatin e Popullit, neni 22, paragrafi 1, nën-paragrafi 4 përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar. Në rastin konkret znj. Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Ehat Miftaraj është drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Miftaraj thotë se është në diskrecion të Avokatit të Popullit të bëjë vlerësimin nëse një çështje duhet të dërgohet në Kushtetuese apo jo. Çështja e ish-kryetares së KQZ-së, sipas tij, është më shumë se rast individual.
“Ne mendojmë që dekreti i presidentes edhe pse preket në të drejtën individuale të zonjës Daka, ka karakter të përgjithshëm, ka karakter të interesit publik lidhur me faktin nëse dekreti i presidentes ka qenë në pajtim me Kushtetutën”, thotë Miftaraj, i cili shton se në bazë të vlerësimeve të bëra vendore e ndërkombëtare “dekreti i presidentes ka pasur të meta me rastin e shkarkimit të zonjës Daka”.
Sipas Miftarajt, mundësia e mbetur që dekreti i presidentes Vjosa Osmani, të dërgohet për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese, është që ajo të bëhet nga deputetët.
“Tani në fazën kur jemi, e vetmja mënyrë që ky dekret të kontestohet është që palët e autorizuara në bazë të Kushtetutës në këtë rast ¼ e deputetëve që nënkupton së paku 30 prej tyre brenda 6 muajsh nga dita kur është marrë ky dekret kanë të drejtë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese si mundësia e vetme për t’u vlerësuar dekreti i presidentes”, ka deklaruar Miftaraj.
Lidhur me vendimin e Avokatit të Popullit, KOHA ka provuar të kontaktojë me ish-kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme këtë të premte.
Në qershor të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani shkarkoi Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së KQZ-së. Në dekret, Osmani arsyetoi vendimin e saj me cenim të pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së.
“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, kështu duke pamundësuar balancën e nevojshme në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësuesve të partive politike të KQZ-së. Rrjedhimisht, kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuar në përshkallëzim të situatës përgjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në vendimin e presidentes, i cili u pasua nga një vendim tjetër, ai i emërimit të Kreshnik Radoniqit, në pozitën e kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Vendimi për shkarkimin e Valdete Dakës është kundërshtuar nga njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile, të cilët përmes një njoftimi për media, vlerësuan se një veprim i tillë është i motivuar politikisht.
“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse”, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.
Në një konferencë për media, pas shkarkimit, Valdete Daka, tha se ka refuzuar ofertën e presidentes Vjosa Osmani që në këmbim të një mirënjohjeje të japë dorëheqje.