Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Avokati i Lekajt: Do ta apelojmë vendimin e Themelores

Avokati i Pal Lekajt, Musa Damati, ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën e Apelit vendimin e Themelores që ish-ministrin e Infrastrukturës e dënoi të mërkurën me 3 vjet e 8 muaj burgim.

“Do ta apelojmë vendimin e Gjykatës Themelore...Vendimi i shkallës së parë të Gjykatës ka shkelje me të cilat mbrojtja nuk pajtohet...Jemi të bindur se do të ketë ndryshime në vendimin e shkallës së dytë”, është shprehur ai të mërkurën në Konfront të KTV-së.

Sipas tij, projekti për ndërtimin e autostradës, ku kompanisë Bechtel-Enca i ishin ndarë 53 milionë euro nga buxheti i Qeverisë, ishte i trashëguar.

“Vendimi s’është i plotfuqishëm, ka mundësi të pësojë ndryshime në faza të mëtutjeshme. Për ata që e kanë ndjekur si proces, duhet të dinë se është proces që ka filluar autostrada shumë vite para se të nënshkruhej projekti, para se ish-ministri i Infrastrukturës të pranonte detyrën. Projekt i trashëguar, i implikuar me vonesa buxhetore”, është shprehur ai.

“Është me interes të potencohet fakti se ata që kanë deklaruar se kanë pasur presion mbi çështjen, gjatë dëshmisë së tyre në gjykatë, në pyetjen e mbrojtjes se a kanë pasur presion nga ministri (Pal Lekaj v.j.), të njëjtit janë përgjigjur me ‘jo’. Është mohuar çdo lloj kontakti në raport me klientin tim...Nëpërmjet presionit publik janë targetuar njerëz të caktuar”, ka shtuar avokati Damati.