Në episodin e 62-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e ish-diplomati Avni Spahiu.
Spahiu: Kosova të ketë kujdes në raportet me SHBA-në, janë bërë gabime që kanë lëkundur besimin
Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, ka thënë se Kosova duhet të tregojë kujdes të vazhdueshëm në marrëdhëniet me SHBA-në, duke vlerësuar se ndër vite janë bërë gabime që kanë krijuar tensione të panevojshme në raportet mes dy vendeve.
Në podcastin PIKË, në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi, Spahiu ka thënë se mbështetja amerikane për Kosovën nuk duhet të merret si e mirëqenë, pavarësisht interesave të përbashkëta.
“Shumë thonë se Amerika e ka ndihmuar Kosovën për shkak të interesave të saj. Në rregull, por edhe interesi ynë ka qenë të jemi me Amerikën, prandaj kjo nuk mund të merret si argument”, u shpreh ai.
Spahiu theksoi se në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të sigurojnë mbështetjen e Washingtonit, Kosova duhet të shmangë veprimet që mund të krijojnë dyshime apo krizë besueshmërie në raport me aleatin e saj kryesor.
Sipas tij, jo vetëm qeveria aktuale, por edhe qeveritë e mëparshme kanë bërë lëshime në menaxhimin e marrëdhënieve me SHBA-në, kryesisht për shkak të mungesës së konsultimeve ose njoftimit paraprak për vendime të caktuara.
“Janë bërë disa gabime, jo vetëm nga kjo qeveri. Ka pasur lajthitje edhe nga qeveritë e mëparshme sa i përket raporteve me Amerikën, kryesisht për shkak të mungesës së konsultimit apo njoftimit për disa veprime konkrete”, ka thënë Spahiu.
Ai shtoi se, megjithatë, këto veprime nuk kanë shkaktuar çarje të mëdha në marrëdhëniet me SHBA-në, por duhet të shërbejnë si mësim që Kosova të jetë më e kujdesshme në ruajtjen e partneritetit strategjik me Washingtonin.
Spahiu: Rugova i linte me qëllim fjalitë të papërfunduara
Gazetari dhe ish-diplomati Avni Spahiu ka zbuluar një detaj interesant nga mënyra e komunikimit të ish-presidentit Ibrahim Rugova me diplomatët ndërkombëtarë, duke thënë se ai shpesh i linte me qëllim fjalitë të papërfunduara për t'i shtyrë bashkëbiseduesit të mendonin dhe të nxirrnin vetë përfundimet.
Në podcastin PIKË, në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi, Spahiu ka thënë se kishte raste kur, si përkthyes i Rugovës, e plotësonte fjalinë gjatë përkthimit në anglisht.
“Po e mora guximin dhe e kreva fjalinë. Kur dolëm, Rugova më tha: 'Shihe, e plotësove fjalinë, po unë me qëllim e lash të paplotësuar. Ata le ta marrin, le t'ia gjejnë atë pjesën tjetër’ “, rrëfeu Spahiu.
Sipas tij, pikërisht kjo mënyrë e të shprehurit, e thjeshtë, e qartë dhe me një dozë urtësie, bënte që mesazhet e Rugovës të linin përshtypje te diplomatët perëndimorë.
Spahiu kujtoi edhe një vizitë në Londër, ku delegacioni kosovar zhvilloi takime me zyrtarë të lartë britanikë. Ai ka thënë se ministri Douglas Hogg e kundërshtonte hapur idenë e pavarësisë së Kosovës, duke mbështetur vetëm autonominë substanciale, por Rugova vazhdonte të këmbëngulte se pavarësia ishte opsioni i vetëm.
Ish-diplomati veçoi edhe takimin me ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher, e cila, sipas tij, ndryshoi qëndrim sapo dëgjoi se nxënësit shqiptarë në Kosovë po zhvillonin mësimin nëpër shtëpi e garazhe pasi ishin mbyllur shkollat.
“Ajo u ngrit në këmbë dhe tha se ishte e papranueshme që në mes të Evropës t'u mohohej shqiptarëve e drejta për arsimim. Shtoi se, nëse kjo politikë vazhdonte, Beogradi duhej të bombardohej”, rrëfeu Spahiu.
Surroi tregon marrëveshjen mes SHBA-së dhe Kosovës në vitet ‘90
Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën gjatë viteve të ‘90-ta ishte e kushtëzuar me ruajtjen e rezistencës paqësore, duke e cilësuar këtë si marrëveshjen themelore mes SHBA-së dhe Kosovës në atë periudhë, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ende s’kishte dalë në skenë.
Në podcastin PIKË, në bashkëbisedim me gazetarin dhe ish-diplomatin Avni Spahiu, Surroi ka thënë se politika amerikane ndaj Kosovës ishte trasuar që me presidentin George H. W. Bush dhe të ashtuquajturin “Kërcënimi i Kërshëndellave”.
“Kjo ka qenë marrëveshja mes SHBA-së dhe neve: SHBA-ja do ta përkrahë Kosovën në rezistencën e vet paqësore. Nëse Kosova inicion veprime të dhunshme, atëherë e humb këtë përkrahje”, u shpreh Surroi.
Ai vlerësoi edhe rolin e kongresistit amerikan Tom Lantos, duke thënë se ishte një personalitet me ndikim të jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe një mbështetës i rëndësishëm i çështjes së Kosovës.
Ndërkaq, Avni Spahiu ka thënë se qasja paqësore e udhëhequr nga Ibrahim Rugova rriste vazhdimisht besueshmërinë e Kosovës në sytë e administratës amerikane.
Sipas tij, një nga sinjalet e para të mbështetjes erdhi gjatë një takimi të Rugovës me presidentin e atëhershëm amerikan Bill Clinton dhe nënpresidentin Al Gore, në kuadër të “Lutjes së Mëngjesit” në Washington.
“Ata shfaqën hapur admirimin për rezistencën paqësore të shqiptarëve në Kosovë dhe premtuan se do të përpiqeshin ta ndihmonin popullin e Kosovës në aspiratat e tij, pa përmendur pavarësinë, sepse ishte një kohë tjetër”, ka thënë Spahiu.