Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Avioni i Pacollit me krerët e shtetit, për pak përfundon në Serbi

Ka pasur konfuzion në udhëtimin e krerëve të shtetit për në Bruksel, ku të mërkurën i pret një ditë e rëndësishme. Atje krerët e shtetit, Kadri Veseli, Ramush Hardinaj e Fatmir Limaj janë nisur me avionin privat të zv/kryeministrit të parë, Behgjet Pacolli.

Nisja për Belgjikë është bërë nga Aeroporti i Tiranës, dhe aty u janë dhënë koordinatat që të kalojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë, raporton KTV.  

“Ka qenë kulla ajrore e Tiranës që ia ka dhënë atë rrugë për ta ndjekur avionit, por atë urdhër të kullës nuk e kanë zbatuar pilotët pasi që ka qenë e paraparë të jetë nëpër Serbi. Do të thotë ne nuk kemi kaluar nëpër Serbi, por jemi kthyer kah Italia. Tani jemi në Bruksel”, ka thënë për KTV-në, këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj.

Sot gjatë ditës delegacioni i madh do të takohet me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Ndaras ka udhëtuar presidenti Thaçi, i cili do të takohet edhe me presidentin serb, Vuçiq.