Zhvillimi i një takimi në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është konfirmuar nga Bashkimi Evropian. Përderisa zëdhënësi i BE-së ka thënë se palët nuk e kanë konfirmuar ende formalisht pjesëmarrjen, burime diplomatike të KOHËS theksuan se pritet që të dy liderët të udhëtojnë të enjten apo të premten në Bruksel, por që ata, në vend të një takimi të përbashkët, të kenë takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell
Bashkimi Evropian deri në këtë moment nuk ka ende mundësi për të konfirmuar se kur do të zhvillohet takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, apo a do të zhvillohet fare ky takim gjatë kësaj jave.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, gjatë një konference për gazetarë në Bruksel ka thënë se akoma palët formalisht nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, prandaj ai as nuk mund të saktësojë ditën dhe as kohën kur takimi mund të ndodhë.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë megjithatë se pritet që të dy liderët të vijnë nesër apo eventualisht pasnesër në Bruksel, porse nuk ka konfirmim nëse ata do të takohen mes vete. Përmendet mundësia nga burimet diplomatike që edhe Kurti e edhe Vuçiqi të kenë takime të ndara bilaterale me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, por jo edhe takim të përbashkët.
Në BE vazhdojnë të përsërisin thirrjen për takim në mes të këtyre dy liderëve në mënyrë që ata të dëshmojnë se janë në gjendje të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë rrugëdaljen nga situata e tashme.
Bashkimi Evropian ka përsëritur se mospërgjigjja ndaj këtyre thirrjeve do të ketë pasoja për të dyja palët.
Për momentin, në BE shpresojnë se deri te takimi do të vijë, por akoma nuk kanë mundësi që një gjë të tillë ta konfirmojnë.