Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AUV: Aktualisht të gjitha pemët e perimet në qarkullim në treg janë nga importi

Foto: Koha

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, në një bisedë në emisionin “SOT” të KTV-së ka thënë se këtë vit nuk ka pasur ndonjë ngarkesë të pemëve apo perimeve që është refuzuar shkaku i dyshimeve.

Thaçi ka thënë se aktualisht në treg qarkullojnë për konsum gjitha pemët e perimet që vinë nga importi.

Thaçi ka treguar se pemët kryesisht importohen nga Italia, Polonia e Maqedonia e Veriut, ndërsa perimet nga Greqia, Turqia e Shqipëria.

“Aktualish, meqenëse jemi në pranverë të hershme, e duke pasur parasysh kushtet klimatike, deri tash gjitha pemë e perimet që janë ende në treg e që janë në qarkullim për konsum, janë nga importi. Ende s’ka fillu prodhimi vendor. Shtetet nga të cilat kryesisht importohen pemët janë Italia, Polonia e Maqedonia e Veriut, ndërsa perimet nga Greqia, Turqia dhe tani veçse ka filluar nga Shqipëria, varësisht se ku bizneset gjejnë treg më të favorshëm për të importuar. Ne si autoritet e kemi mandat kryesor të kontrollojmë secilën ngarkesë”, tha Thaçi.

Ai ka thënë se këtë vit nuk është evidentuar ndonjë rast kur ndonjë ngarkesë me pemë apo perime është refuzuar si pasojë e ndonjë dyshimi të caktuar.

“Gjitha ngarkesat janë të kualitetit të mirë, janë kontrolluar. Ajo që konsumatorët duhet të shohin, te perimet e pemët, është se qëndrueshmëria e tyre është afatshkurtër. Mund të shohin nga pamja nëse ka filluar kalbja”, tha Thaçi.