Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Auditori për 2018/2019 do të bëjë auditimin e performancës për implementimin e Ligjit për faljen e borxheve

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti GAP, me rastin e publikimit të Analizës “Efektet e ligjit për faljen e borxheve”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Osmani, në fjalën e tij, ka vlerësuar raportin e publikuar nga Instituti GAP, si një analizë të rëndësishme dhe që ofron mjaft informata për publikun e gjerë por edhe për të gjithë akterët të cilët ligji për faljen e borxheve i bën përgjegjës për implementimin e tij”, thuhet në komunikatë.

Auditori i Përgjithshëm, më tutje ka theksuar se auditimet nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë nxjerrë që menaxhimi i obligimeve që dalin nga ky ligj ka qenë i pa qëndrueshëm, pasi dështimi kryesor është bërë në zbatimin e nenit 5 të ligjit, ku kërkohet nga të gjitha ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore të krijojnë listat e personave që do të mund të përfitonin nga ky ligj. Sipas, Osmanit vetëm ATK dhe Dogana kanë përpiluar listat e tyre.

Me qëllim të përmirësimit të transparencës dhe mbledhjes së detyrimeve, si dhe për të rritur përgjegjësinë e konsumatorëve, Instituti GAP në këtë raport nxjerr rekomandime adresuar për Ministrinë e Financave, Zyrën Kombëtare të Auditimit, dhe Qeverinë e Kosovës.

“Lidhur me këtë, Auditori i Përgjithshëm, theksoi se do ta marrë në shqyrtim që në planin e punës 2018/2019 të përfshijë edhe auditimin e performancës për implementimin e ligjit për faljen e borxheve”, thuhet në komunikatë.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, drejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, Raif Preteni, dhe përfaqësues të ndërmarrjeve publike, komunave dhe institucioneve të tjera publike.