Një listë të gjatë mangësish e ka gjetur Zyra e Auditorit të Kosovës në auditimin që i ka bërë sistemit të menaxhimit të pagave në sektorin publik, për rreth 83 mijë punëtorë.
Nëpërmjet sistemit për menaxhim të pagave paguhen të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Kosovë. Në sistem menaxhohen rreth 30 për qind të shpenzimeve të buxhetit. Sistemi është i centralizuar dhe menaxhohet nga Thesari i Kosovës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave.
Auditimi i kryer në këtë sistem ka vënë në pah se ekzistojnë kontrolle manuale për të ruajtur besueshmërinë e sistemit dhe se procesimi i pagave bëhet me kohë. Megjithatë, rezultatet kanë treguar se procesi i ekzekutimit të pagave dhe menaxhimit të tij për të rritur efektivitetin dhe saktësinë e të dhënave ka nevojë për përmirësim.
“Thesari nuk ka të vendosur strukturë organizative të qartë për funksionimin e duhur të sistemit dhe procesi i punës nuk ishte i bazuar në objektiva strategjike për të mbështetur këtë sistem duke rrezikuar që të mos përmbush objektivin e tij rreth menaxhimit të pagave për sektorin publik. Sistemi për menaxhimin e pagave nuk ka dokumentim të proceseve si dhe nuk ka kontrolle të mjaftueshme për ndryshimet që bëhen në këtë sistem. Kjo rrit rrezikun që në sistem të ketë gabime, ndryshime të pa aprovuara ose aksidentale si dhe rrit varësinë ndaj një individi duke rrezikuar që sistemi të mos vazhdojë të mbështesë operacionet e Thesarit. Kontrollet e aplikacionit të vendosura në sistemin e pagave nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur procesin e pagave. Kontrollet e aplikacionit kishin mangësi që nga vendosja e të dhënave hyrëse, përpunimit të pagave si dhe në sigurinë e informacionit në këtë sistem. Kjo rrit rrezikun e gabimeve të mundshme gjatë procedimit të pagave, ndikon në efikasitetin e punës si dhe rrezikon integritetin e të dhënave. Rrjedhimisht, sistemi që përdoret për menaxhimin e pagave nuk i përmban standardet e kërkuara që të menaxhojnë në mënyrë efikase shpërndarjen e tyre”, thuhet në publikimin e ZKA-së.
Në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore të Republikës së Kosovës, pagat dhe shtesat marrin pjesë rreth 30% dhe pothuaj prezanton kategoritë me përqindjen më të lartë të shpenzimeve ku vetëm katër vitet e fundit (2018-2021) janë shpenzuar mbi 2.5 miliard euro.
Sipas auditimit, ndër mangësitë ka qenë identifikimi i rasteve me statusin e dy pagave primare në sistem. Në vitin 2021, 38 ka qenë numri i të punësuarve që merrnin të ardhura në statusin e dy pagave primare. Po ashtu është vënë në pah se shtesa e përvojës së punës nuk kalkulohet në muajin në të cilin përmbushet kriteri prej një viti, e që për çdo vit të përvojës së punës së kaluar në shërbimin civil, nëpunësit i takon e drejta shtesë në pagën bazë prej 0.5 për qind. Po ashtu, sipas raportit, kalkulimi i shtesës së përvojës së punës bëhet për një vit më pak nga sa ju takon dhe s’është në përputhje me vitet në sistem.
Auditori ka dhënë 19 rekomandime për Thesarin dhe MF-në, duke përfshirë vendosjen e strukturave, proceseve dhe mekanizmave për të siguruar që ofrohen të dhëna të sakta, të besueshme, të plota dhe në kohë.