Arbëri

ATK-ja inkasoi 35 milionë euro më shumë seç planifikoi

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka pasur të hyra vjetore prej 591.4 milionë euro.

Ndërkaq tejkalimi i planit të të hyrave është për 35.4 milionë apo 6.4 për qind.

Rritje të të hyrave në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020 ka pasur për 124.3 milionë, ndërsa në raport me 2019 për 87.1 milionë.

Nga ATK-ja është njoftuar se inkasimi i borxheve në total është 130.9 milionë.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se përveç mbështetjes së Qeverisë në vazhdimësi kanë pranuar kërkesën e vetme që të vazhdojmë ta zbatojnë Ligjin njëtrajtshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kjo është përgjegjësi shtesë kur ke vetëm një kërkesë, që ta zbatosh ligjin. ATK-ja ka kaluar në sfida të mëdha, ndoshta me nuanca më të zbehta se viti i kaluar, për shkak të pandemisë. Megjithatë si institucion jemi angazhuar fuqishëm që krahas reformave të vazhdojmë edhe në arritjen e objektivave dhe tejkalimin e atyre që janë paraparë nga Qeveria e Kosovës. Krahas aktiviteteve ne kemi vazhduar edhe me ofrimin e lehtësirave për tatim paguesit, ku së fundmi janë finalizuar tri shërbime elektronike. Me finalizimin e tyre kemi një përmbyllje të ciklit të shërbimeve elektronike ndaj tatimpaguesve”, ka thënë ai.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se janë të kënaqur me performancën e ATK-së.

“Gjithmonë mund të ketë më mirë, por mund ta konsiderojmë si vit të suksesshëm sepse kemi pasur tejkalim të buxhetit të planifikuar. Kjo përveç që tregon trajtim të barabartë mundëson edhe Qeverisë që të ketë të hyra më shumë t’i orientojë rreth programeve zhvillimore. Normalisht që sfidë vazhdon të mbetet formalizimi i ekonomisë, sigurimi i integritetit të administratës tatimore”, ka thënë ai.