Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Atiq në Kryeministri, Kurti i siguron mbështetje të plotë

Kryeministri Albin Kurti i ka siguruar mbështetje të plotë kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nga qeveria qendrore për kërkesat dhe projektet e komunës për zhvillimin ekonomik lokal e shërbimet ndaj qytetarëve.

Atiq bashkë me nënkryetaren e komunës, Katarina Adançiq, kanë shkuar në Zyrën e Kryeministrit të martën ku takuan Kurti dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi ZKM.

“Kryetari Atiq e njoftoi kryeministrin se së bashku me ekipin e tij janë duke punuar çdo ditë me intensitet të lartë për të propozuar dhe realizuar projekte që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve dhe shërbimet ndaj tyre”, thuhet në komunikatë.

Në fund të komunikatës, Kryeministria ka deklaruar se Komuna e Mitrovicës Veriore, “është e hapur dhe transparente, drejtorët komunalë janë përzgjedhur për të përfaqësuar frymën multietnike dhe bashkërisht po punojnë me përkushtim, pa përjashtim dhe me profesionalizëm”.