Zëvendëskryetari i qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Adnan Asllani, ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë sa duhet që të ndriçojnë të gjithë gjenocidin që ka ndodhur në Kosovës gjatë luftës.
Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së ai ka thënë se Kosova duhet që ta ngrit zërin kudo që është e mundur për të treguar se çaftë ka ndodhur në Kosovë dhe të kërkohet drejtësi për të gjitha krimet e kryera.
“Institucionet e Kosovë kanë qenë ndoshta pak të hendikepuara, ndoshta kjo temë ka qenë e neglizhuar, nuk i di arsyet por mund të them që nuk është bërë aq sa duhet për të ndriçuar gjithë spektrin e gjenocidit që ka ndodhur këtu, masakra e Reçakut është njëra nga to, me të cilën ka manipuluar shumë edhe shteti serb, kur para një kohe presidenti serb Vuçiq e quajti atë gënjeshtër”, ka theksuar Asllani.
Ai ka thënë se Kosova duhet të intensifikojë përgatitjen e dosjes për të ushtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë.
“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të intensifikojë hapat për përgatitjen e dosjes për padinë për gjenocid, kur të përgatitet kjo dosje, natyrisht që Kosova duhet të vlerësojë momentin se kur duhet që të dërgojë këtë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe duhet të analizohet çështja a ka të drejtë Kosova ta padis apo duhet ta bëj nëpërmjet një shteti tjetër”, është shprehur Asllani.
Edhe
“Pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi e as paqe”, Kosova përkujton viktimat e Srebrenicës
Sipas tij dëshmitarët janë të gatshëm të dëshmojnë për atë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Asllani: Presim që lulëkuqja më katër petale të shndërrohet në simbol të gjenocidit serb në Kosovë
Asllani, ka folur edhe për kërkesën që Lulëkuqja më katër petale të shndërrohet në simbol të gjenocidit në Kosovë.
Ai ka thënë se janë të bindur që shteti serb gjatë luftës në Kosovës ka kryer gjenocid në katër format e tij, vrasjet masive, dhunimin seksual, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve në vend. Sipas tij të gjitha këto mund të dëshmohen.
Asllani ka thënë se katër petalet e këtij simboli, që është dizajnuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, përfaqësojnë këto katër forma të gjenocidit.
Ai ka thënë se pret që propozimi i tyre që ky simbol të shndërrohet zyrtarisht në simbol të gjenocidit serb në Kosovës të miratohet nga institucionet.
Edhe
BE-ja kërkon të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë, por nuk ndëshkon ata që e mohojnë
“Kërkesën ua kemi drejtuar institucioneve shtetërore më 16 nëntor të vitit të kaluar dhe nga ajo datë kemi pasur një fluks të madh të mbështetjes për këtë kërkesë nga intelektualë, disajnerë, artistë, piktorë, skulptorë e personalitete të ndryshme të kulturës dhe artit, politikës e edhe të institucioneve të Kosovës, 14 komuna, përfshitë Prishtinën i kanë dhënë mbështetje kërkesës tonë, presim që edhe institucionet shtetërore do ta bëjnë këtë”, ka theksuar Asllani.
Sipas tij për tu zyrtarizuar kjo kërkesë do të duhet që Kuvendi i Kosovës ta miratojnë një rezolutë dhe ai ka thënë se janë në pritje që kërkesa të marr një përgjigje pozitive.