Shpallja e djeshme e rezultateve të PISA-s (Program for International Student Assesment - Program i Vlerësimit Ndërkombëtar i Nxënësve) ishte dëshpërim për të gjithë qytetarët e Kosovës, me përjashtim të atyre që do të duhej të mbanin përgjegjësinë objektive për këtë gjendje, ka thënë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ky institucion ka lëshuar një komunikatë, ku ka vlerësuar se kriza më e madhe e shoqërisë kosovare është kriza e arsimit.
“Arsimi është njëri nga dështimet tona të mëdha, por moskokëçarja dhe reagimi i vakët institucional në këtë rast e bën situatën edhe më dëshpëruese, duke i dhënë asaj përmasat e një krize shoqërore, përfshirë edhe krizën morale. Kriza në arsim është kriza më e madhe e shoqërisë kosovare që në fillimet e perspektives së saj, sikundër që është zhgënjim dhe braktisje e pashembullt e idealizmit tonë historik, i mbështetur mbi idetë e iluminizmit dhe emancipimit”, ka thënë ASHAK-u në komunikatën për media, raporton Koha.net.
Sipas Akademisë së Shkencave, nxënia e dijeve nuk është dështimi i vetëm në arsim, por se ai është vetëm një segment i dukshëm dhe i afishuar në një mënyrë të tillë, që, siç thotë ASHAK-u, “na bën të turpërohemi dhe të skuqemi të gjithë”.
Më tej, Akademia e Shkencave thotë se mungesat dhe dështimet tona janë shumë më të mëdha dhe kjo situatë na bën me dije se Kosova është e përfshirë prej shumë vitesh në një krizë të mësimit dhe të dijes, “e cila si shtet dhe si komb na lë pa të ardhme”.
Edhe
ASHAK-u fajëson politikën për kaosin në arsim, del me nëntë propozime
Testi i PISA-s, thotë ASHAK-u, nuk është dhe nuk mund të merret si komponentë artificiale e arsimit, “siç pretendojnë institucionet tona”.
“Ai është një indikator që tregon një gjendje dhe nuk është asnjëherë qëllim i vetvetes, që flet qartë se ka ardhur koha për të marrë përgjegjësi, ngase kjo krizë nuk amniston askënd. Vetëm se, një përgjegjësi kaq e gjerë nuk do të thotë se shoqëria jonë nuk i ka të identifikuar bartësit kryesorë të shkatërrimit në arsim dhe se ata nuk janë tashmë anonimë. Ata kanë adresë, ata i njohim të gjithë: në radhë të parë janë ata që kanë marrë përgjegjësitë politike dhe institucionale për ta qeverisur vendin”, ka thënë ASHAK-u në këtë komunikatë për media.
Për të dalë nga kjo gjendje, ASHAK-u thotë se qeverinë në ardhje e pret një punë e vështirë: të shpallë gjendjen emergjencë kombëtare dhe të marrë masat përkatëse, fillimisht duke i mënjanuar nga strukturat vendimmarrëse të gjithë ata që janë identifikuar si bartës proceseve negative dhe njëkohësisht duke krijuar mekanizma institucionalë për ta avancuar procesin arsimor.
“Është krejtësisht e qartë se ata që e kanë shkaktuar këtë krizë, nuk mund ta luajnë edhe rolin e shpëtimtarëve”, thekson ASHAK-u.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në kuadër të përgjegjësive të veta dhe në bashkëpunim me të gjithë subjektet relevante e me njohës të kësaj fushe, thotë se brenda një periudhe 6 mujore do të hartojë një dokument gjithëpërfshirës për gjendjen në arsim, duke propozuar edhe masat përkatëse.
Edhe
Dita e Librit “shfleton” zbehjen e leximit, përballet me IA-në
“Akademia do të jetë në dispozicion, për t’u bërë pjesë e rrugëdaljes nga kjo emergjencë kombëtare”, përfundoi ASHAK-u.
Kujtojmë se rezultatet e testit PISA, që u publikuan dje, e vendosën Kosovën në pozitën e tretë nga fundi.