Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ASHAK: Dënojmë aktet terroriste të Serbisë kundër sovranitetit të Kosovës

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), është shprehur mbështetëse e palëkundur e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe organeve të sigurisë për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Në një reagim qe e mban datën 25 shtator dhe është postuar në rrjetin social Facebook nga kryetari i Akademisë, Mehemt Kraja, thuhet se ASHAK-u ndihet i indinjuar me sulmet terroriste mbi institucionet e Republikës së Kosovës.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Kryesia e saj, është duke ndjekur me shqetësim ngjarjet më të fundit në veriun e Kosovës. Ndihemi thellësisht të indinjuar me këto zhvillime, me sulmet e koordinuara terroriste mbi institucionet e Republikës së Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e saj dhe jemi njëkohësisht mbështetës të palëkundur të veprimeve të domosdoshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të organeve të rendit dhe të sigurisë, të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Gjithashtu ASHAK-u i ka dënuar, siç thuhet, aktet terroriste të Serbisë kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës.

“I dënojmë me ndjenjën më të fuqishme të revoltës dhe indinjatës këto akte terroriste të Serbisë, të drejtuara kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës, kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kundër rendit të saj kushtetues”, thuhet në reagim.

Tutje theksohet se ASHAK-u ka tërhequr vërejtjen disa herë që Serbia është kthyet në faktor destabilizuaes në rajon.

“Ne kemi tërhequr vërejtjen me shumë se një herë, se Serbia është kthyer në faktorin kryesor destabilizues të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. ‘Bota serbe’, versioni ballkanik i ‘botës ruse’, nga një program nacionalist i institucioneve akademike është kthyer tashmë në kredo politike dhe ideologjike të institucioneve shtetërore dhe vendimmarrëse të Serbisë. Jemi po ashtu të shqetësuar që një akt terrorist, siç është ky i fundit, synohet të përdoret si pretekst nga qarqe arriviste shqiptare, për të ‘ridizajnuar’ historinë, tashmë të përmbyllur, të themelimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

ASHAK-u në reagim ka shkruar se bashkëndjen me të afërmit e rreshterit policor Afrim Bunjaku, i cili u vra nga sulmuesit serbë të dielën në veri.

“Gjithashtu, ndihemi të prekur nga humbja e jetës së oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut. Bashkëndjejmë me të afërmit dhe familjen e të ndjerit dhe përulemi para sakrificës dhe ndjenjës së përgjegjësisë të çdo mbrojtësi të rënë për liri dhe sovranitet”, thuhet në reagim.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit.

Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë.

Artikuj të ngjashëm