Testet e para për diagnostikimin e rasteve të dyshuara me linë e majmunit në Shqipëri kanë arritur të hënën, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës së zhvilluar në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik, ka bërë me dije se testimet për linë e majmunit do të kryhen në Shqipëri.
“Në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik tashmë ne kemi bërë të mundur që për 250 rastet të para që mund të jenë të dyshuara, të kemi dhe testet specifike në këtë laborator. Do të kemi mundësi që pikërisht në këtë laborator, të mundet të testojmë raste të dyshuara dhe gjithashtu kontaktet e dyshuara të rasteve”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar që pritet të forcohen kapacitetet me një aparaturë moderne për sekuencimin e genomit.
“Deri në vjeshtë ne duam që të kemi gjithashtu një tjetër aparaturë moderne në ISHP, që është sekuenciatori genomik. Pra do të kemi mundësi që në këtë laborator të mund të sekuencojmë genomin dhe është një ndër procedurat që të gjithë laboratorët e referencës e kanë. Ndërkohë që me Institutin e Shëndetit Publik, jemi duke punuar për të përfunduar edhe masterplanin e të gjithë korpusit të Insititutit të Shëndetit Publik, përfshirë edhe godinën qendrore dhe një godinë të re që do të jetë kulla e laboratorëve, duke përfshirë nga laboratorët bazë, kimik, biokimik, gjithashtu laboratorët e virologjisë dhe mikrovirologjisë. Është projekti ynë më ambicioz që ne kemi për ISHP-në”, tha Manastirliu.
Duke folur për monitorimin e situatës për linë e majmunit, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Eugena Tomini tha se janë duke e vëzhuar situatën me linë e majmunit në vendet tjera.
“Aktualisht kemi sërish një mbikëqyrje të angazhuar siç është ajo e lisë së majmunit, duke shtuar kapacitetet diagnostike në Institutin e Shëndetit Publik dhe për më tepër diagnoza kryhet në vend”, ka thënë ajo.
Sipas Qendrës Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, Shqipëria vlerësohet me risk të ulët për sa i përket lisë së majmunit.