Është konfirmuar rasti i parë i lisë së majmunit në Serbi, ka bërë të ditur instituti i shëndetit publik në këtë shtet.
Siç është konfirmuar, bëhet fjalë për një person që ka ardhur nga jashtë Serbisë.
Instituti ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat për rastin dhe kontrollin e mundshëm të shpërndarjes së infektimit.
Lia e majmunëve është sëmundje që tashmë është konfirmuar në më shumë se 20 shtete jashtë Afrikës, kontinentit që konsiderohet vend që ka përhapjen më të madhe.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi nuk transmetohet lehtë, sikurse virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë globale COVID-19. Ekspertët kanë thënë se lia e majmunit përhapet nga kontakti i ngushtë lëkurë me lëkurë me dikë që është i infektuar.
Ditë më parë, në Kosovë u dyshua për një të prekur me këtë virus, por që mostrat e tij, të dërguara në Holandë, dolën negative.