Arbëri

Katër të arrestuar për shkelje në Telekom, njëri këshilltar i Selimit e tjetri i Veliut

telekom

Katër persona janë arrestuar të martën lidhur me keqpërdorime në Telekom. Dy prej tyre kanë qenë këshilltarë të ish-minstrave Selim Selimi e Agim Veliu.

Katër persona janë arrestuar të martën në mëngjes lidhur me dyshimet për keqpërdorime me kontrata në Telekom.

Siç ka mësuar KOHA, të arrestuar janë ish-zyrtarët e lartë të Telekomit, Trim Musliu e Armend Osaj. Pos tyre, janë arrestuar edhe Denis Ceman dhe vëllai i Trim Musliut, Kreshnik Musliu.

Trim Musliu ka qenë edhe këshilltar i ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, ndërsa Ceman ka qenë këshilltari i ish-ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu.

Sikur te rasti i subvencioneve në bujqësi, prokuror i rastit është Rafet Halimi.

Rastin për KOHËN e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. “Sot me 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë

Në serinë e shkrimeve për shkeljet në Telekom, KOHA kishte raportuar në vitin 2018 duke vënë në pah edhe se Trim Musliu, që ushtronte për një kohë të shkurtër pozitën e kryeshefit të Telekomit, kishte përfituar në emër të subvencionimit të kulturës.

Regjisori dhe Producenti i filmit “MALA”, Musliu, ishte punësuar në Telekom në fund të prillit, derisa në qershor ishte vënë në krye të Marketingut të Telekomit. Por, kjo nuk paraqiti problem, që ky departament gjatë kësaj kohe t’ia ndajë 300 mijë e 15 euro kompanisë “Morea SHPK”, që po e realizonte filmin e tij “Mala”. KOHA kishte siguruar faturat e pagesës së kësaj shume që Vala ka bërë në llogarinë e “Morea SHPK”.

Ndërkaq për Osajn, KOHA kishte mësuar se ai si njeri i afërt me AAK-në kishte siguruar pozitën e zyrtarit kryesor të financave, si pjesë e “pazareve” për ndarje të detyrave brenda koalicionit qeverisës atë kohë. Osaj ishte drejtor i Sinalcos, ndërsa përfaqësues i Sinalcos për Kosovën ishte deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.