Ikja nga vendlindja e shumë të rinjve për shkak të papunësisë, mbetet brenga më e madhe e qytetarëve të Kamenicës, vend ky që është shembull i marrëdhënieve të mira ndëretnike.
Këtë problem dhe çështje të tjera, të cilat po i preokupojnë qytetarët e të gjitha komuniteteve, ata ia kanë shprehur përfaqësueses së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, si dhe kryetarit të tyre, Qëndron Kastratit, raporton KTV.
Në takimin e përbashkët, ku u dhanë ide rreth përmirësimit edhe më të madh të marrëdhënieve ndëretnike, qytetarët i kërkuan përfaqësueses së BE-së mbështetje financiare.
Përfaqësuesja e BE-së Apostolova, tha se kjo situatë është krijuar si pasojë e cilësisë së dobët në arsim, pasoja këto që, sipas saj, do të shihen tek pas 15 vjetësh.
Sipas saj, shkaktar janë edhe korrupsioni, si dhe moszbatimi i ligjeve.
Gazetarët serbë u interesuan se kur do të nisë punën në terren Gjykata Speciale, sepse sipas redaktorit të televizionit Puls, kjo do të ndikonte edhe më shumë në përmirësimin e marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve.
Edhe
Apostolova: Papunësia, pasojë e korrupsionit dhe cilësisë së dobët të arsimit
Natalyia Apostolova tha se Gjykata Speciale, kur të dalë me listën e emrave ndaj të cilëve do të ngrihen edhe aktakuza, do t’i ketë duart e lira të veprojë dhe e pavarur të kryejë punën e saj.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se komuna e ka buxhetin e varfër për të bërë ndryshime, për çka kërkoi ndihmë nga niveli qendror, si dhe Bashkimi Evropian.
Në fund të këtij diskutimi u bë edhe inaugurimi i objektit të ri të komunës, financues i së cilës ishte Bashkimi Evropian.