Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Apostollova kërkon që liderët të mos japin data për liberalizimin e vizave

Derisa të martën ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha kishte deklaruar se pret liberalizim të vizave deri në fund të vitit, të mërkurën asaj dhe liderëve të tjerë u është tërhequr vërejtja rreth dhënies së datave për liberalizim të vizave, raporton KTV.

Ka qenë shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila në hapjen e fushatës për liberalizim të vizave, ka kërkuar nga liderët që të mos nxitojnë në “dhënien e afateve artificiale”, rreth liberalizimit.

Apostolova ka thënë se nëse nuk respektohen kërkesat ose kriteret, vizat mund edhe të pezullohen. Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe kryeministri Haradinaj, i cili ka thënë se e drejta e lëvizjes vjen me përgjegjësi, që qytetarët është mirë t’i dinë.

E vetë ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha, ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave ka qenë sfidues, si për institucionet ashtu edhe për BE-në. Ajo kësaj radhe nuk ka përmendur periudha kohore por ka thënë se jemi një hap afër heqjes së vizave. Ndërkaq, ambasadori gjerman, Christian Heldt, ka thënë se kjo fushatë është jetike për këtë proces, dhe se ajo është bërë me kërkesë të shteteve të BE-së.