Arbëri

Apeli pa vendim, Qeveria thotë së listat e “veteranëve të rrejshëm” do të adresohen

Foto: Facebook / Hashim Thaçi

Një vit do të bëhet këtë muaj që nga vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’i liruar anëtarët e Komisionit Qeveritar rreth njohjes dhe verifikimit të statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, të akuzuar për korrupsion në këtë proces.

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim lidhur me rastin, pasi Prokuroria Speciale e ka ankimuar vendimin e shkallës se parë.

Rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave, siç është edhe rasti i veteranëve, trajtohen nga Apeli me prioritet.

Pjesa më e madhe e këtyre rasteve në Apel marrin përgjigje rreth gjashtë muaj pasi të pranohen, e gjatë ditës se martë ka qenë i pamundur kontakti me këtë gjykatë për të marrë përgjigje se pse vendimi për këtë rast po vonohet më shumë.

E vendimin e gjyqësorit për rastin është duke e pritur edhe Qeveria e Kosovës, për të vendosur se çfarë duhet bërë tutje me procesin.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka deklaruar se Qeveria është e varur nga vendimi i gjykatës për planin e veprimit për këtë çështje.

“Siç jeni të informuar, nga viti 2017, dosjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së janë të sekuestruara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ku edhe vazhdojnë të jenë në prokurori. Duke pasur parasysh këtë, plani i veprimit të Qeverisë Kurti varet nga vendimi i gjykatës në raport me këto dosje e në linjë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Kelmendi.

Megjithëkëtë, ky institucion ka deklaruar se domosdoshmërisht do të veprohet në këtë drejtim.

“Qeveria, krahas mirëqenies së këtyre kategorive, ka për prioritet zgjidhjen e problemeve që ndërlidhen me këto dosje, andaj do të përdorë secilin aktor për të arritur atë, duke pasur parasysh se konsideron se një gjendje e këtillë ka dëmtuar rëndë integritetin dhe imazhin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ajo.

Në vitin 2016, Komisioni qeveritar për verifikimin e veteranëve hartoi ​​një listë me 46 mijë emra, për të cilët tha se ishin pjesëtarë të UÇK-së. Rreth 38 mijë prej tyre marrin pensione.

Por aktakuza e ngritur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, pretendonte që 19 prej tyre kanë fituar këtë status në kundërshtim me ligjin. Për këtë çështje pjesë e aktakuzës ishin anëtarët e Komisionit: ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja pretendonte se me këto veprime të të pandehurve, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 88.769.217.04 eurosh.