Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Apeli liron Hysni Hoxhën nga akuza për korrupsion

Hysni Hoxha i ka shpëtuar dënimit me burg. Këtë të premte Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte në krye të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Vitin e kaluar shkalla e parë e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me tre vjet burgim, shkruan sot Koha Ditore.

Ai dyshohej se ka bërë favorizime në tenderin për instalimin e grupeve matëse në kufirin e Operatorit të Sistemit dhe Transmisionit dhe Tregut të Energjisë, Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të Shqipërisë.

Tenderi i ishte dhënë konsorciumit NP “Monten & G3 Inxhiniering”, në vlerë prej 2.4 milionë eurosh.

Ish-kreu i OSHP-së, i cili për dy mandate e ka udhëhequr këtë institucion, që kontrollon të gjithë tenderët publikë në vend, ka dhënë dorëheqjen vitin e kaluar prej këtij posti. Paraprakisht ai ka qenë asamblist i PDK-së në Prizren. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)